“Në fund të fundit, e vërteta doli në pah, tani që zyra jote (naziste) në Tiranë është e mbyllur, duhet të jesh më e qetë. Tani je e lirë apo jo, gjithashtu edhe unë jam i lirë që të bëj çmos që ekzistenca jote mizerje të jetë një ferr dantesk”.
Kështu i nisi kërcënimet 53-vjeçari M.Giochin, një shtetas italian i mbërritur në kryeqytetin shqiptar enkas për të kërcënuar bashkëkombësen e tij, të cilës i ishte vënë këmbë-këmbës dhe e ka përndjekur për vite me radhë. Gruaja, me inicialet F.R., me detyrë atashe, tregoi në Policinë e Tiranës se 53-vjeçarin e njihte prej kohësh kur ishin studentë.
Njohja midis tyre e nisur në Padova, kulmoi jo vetëm me komunikimet përmes telefonit, por më pas edhe me vizitën e burrit në shtëpinë e prindërve të saj, ku ai i dërgoi dhurata në banesë.
“Gjatë këtyre viteve, kam qenë me detyra të ndryshme në shtete të ndryshme, si në Gana, Tunizi, Indi dhe prej pesë vitesh ndodhem në Shqipëri”.
Ajo u bë shkak që ndaj italianit të sapo mbërritur në kryeqytetit shqiptar, policia jo vetëm t’i hidhte prangat, por edhe të hapte një dosje për akuzën e përndjekjes. I dashuruar pas saj, italiani i ka shkruar vazhdimisht në emaile dhe në “ëhatsapp”, duke i shprehur ndjenjat, por pa ka gjetur të njëjtin interes nga italiania, që i ka bllokuar numrin. Duket se në këtë situatë refuzimi të herëpashershëm, 53-vjeçari u ul dhe i shkroi një email të gjatë, në të cilin i bashkëngjiti biletën e udhëtimit dhe rezervimin në një hotel të njohur, ku ai do të qëndronte më pas.
“Ti nuk ke kurajë për të folur, por unë kam mjaft kurajë. Bashkë jemi në luftë, ti në anën e Putinit, ndërsa unë në anën e të drejtëve, të ukrainasve. Tani më takon mua të kaloj në sulm sipas mënyrës sime, si një psikopat kriminel lufte, pa vija etike me një rekord kriminal të pastër”.
Duke paralajmëruar se do kryente diçka të dëmshme për të, italiani shtoi “shijoje dhimbjen”. Në vazhdim, ai nuk u dorëzua dhe në pamundësi për të pasur një komunikim real me ish-miken e vjetër, dërgoi një email tjetër.
“Komplimente për askushin që je. Nesër do dal dhe do takoj e shkoj me kë të dua unë, ndërsa ti bëfsh qejf me miqtë e tu ‘gey’, fashistët e dreqit. Unë jam mjeshtri yt dhe ti do bësh atë që them unë, pa bërë pyetje”.
E shqetësuar, gruaja me detyrë atashe kërkoi ndihmën e policisë, e cila i thotë Gazetasi.al, se si fillim i tërhoqi vëmendjen italianit, duke e këshilluar. Ai dha këtë deklaratë sipas burimeve policore që e trajtuan rastin e përndjekjes.
“Kam ndjenja për të, jemi takuar në vitin 1997 dhe e kam pyetur nëse ishte e martuar. Ajo më ka thënë jo. I kam kërkuar tre herë që të martohemi dhe kemi dalë bashkë në periudha të ndryshme. E kam pyetur nëse ishte e interesuar të krijonim familje bashkë dhe asnjëherë nuk kam marrë përgjigje për marrëdhënien tonë”.
Burri shton se ishte aq i dashuruar me italianen, saqë u ul dhe shkroi edhe një novelë për të, si provë të ndjenjave të tij.
“Ajo më ka lënë gjithmonë të pres. Kam shkuar në Indi për ta takuar, por edhe atje, ajo më dha të njëjtën arsye prej 25 vjetësh. Edhe në Shqipëri, erdha t’i shpreh ndjenjat, pa dashur t’i krijoj bezdi dhe shqetësime, por kuptoj që ligji shqiptar e dënon këtë gjë dhe për këtë arsye ndihem i penduar”.
Nën premtimin se po dilte përfundimisht nga jeta e italianes, 53-vjeçari në atë kohë nuk u arrestua, thotë policia. Por, ai nuk e mbajti fjalën në vijim. Gruaja njoftoi sërish policinë, duke denoncuar se menjëherë sapo kishte lënë komisariatin, Giochin e telefonoi dhe i dërgoi mesazhe zanore, ç’ka e detyroi policinë që kësaj radhe të mos qëndronte duarkryq. Megjithatë, autoritetet thonë se po presin përkthimin e mesazheve të të dyshuarit për të saktësuar përmbajtjen e frazave që duhet të marrin kuptimin e provës.