Në një konferencë për shtyp, ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio ka njoftuar se është larguar nga Lëvizja ‘5 Yjet’. Ai ka njoftuar formimin e grupit të ri politik, “Së bashku për të ardhmen” në të cilën u bashkuan 60 deputetë që ishin pjesë e ‘5 Yjeve’.
“Unë dhe disa kolegë largohemi nga Lëvizja ‘5 Yjet’. Është një zgjedhje e dhimbshme që nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të duhej ta bëja. Jam viktimë e përshkallëzimit të sulmeve personale nga M5-të. M5s ka bërë shumë për mua, ia kam kthyer mbrapsht duke dhënë më të mirën për ta në gjithë këto vite. Pozicionet e liderëve të Lëvizjes e dobësuan Italinë” – tha Luigi Di Maio.
Shkak për largimin e tij është bërë një përplasje brenda partisë aleate të koalicionit të qeverisë Draghi për të mos pranuar linjën për furnizimin me armë të Ukrainës. Lideri i lëvizjes “5 Yjet” Giuseppe Conte ka kërkuar gjetjen e një rruge diplomatike për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë dhe jo atë të furnizimit me armë.