Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në lidhje me energjinë elektrike.
Kurti e konsideroi tepër pozitive arritjen e marrëveshjes dhe tha se kjo është rezultat i punës së Qeverisë që ai udhëheq si dhe thkesoi se së shpejti do të fillojë faturimi i energjisë për komunat në veri.
“Ky është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës, në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatim të udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë së shpenzuar në veri të lumit Iber”, tha Kurti.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, sot njoftoi se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për miratimin e udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Me kënaqësi të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.