Një trafikant droge ka rënë në prangat e policisë në Tiranë, pas dy operacioneve të zhvilluara në kryeqytet dhe në Lezhë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Yellow pack” u bë arrestimi në flagrancë i personit të identifikuar me iniciale V. K., 46 vjeç, banues në Lezhë.
46- vjeçari është kapur në rrugën “Asim Vokshi”, të cilit, gjatë kontrollit, iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, 1 kg e 15 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se trafikanti në bashkëpunim me persona të tjerë, ende të paidentifikuar, pasi siguronte sasi lënde narkotike në peshën 2-3 kg, e ndante atë në doza, të cilat i shisnin më pas në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe të qytetit të Lezhës.
Punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Po ashtu është vënë në hetim pas operacionit policor të koduar “Plastic” një person i identifikuar me iniciale R. D., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, I. Zh., 43 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, gati për shitje.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin lëndë narkotike kokainë, e ndanin në doza, të cilat i shisnin në zona të ndryshme të Tiranës.