Ish-kryeministri Sali Berisha ka injoruar ditën e sotme deputetin demokrat Belind Këlliçi në nisje të takimit të mbajtur pasdite për hartën e re gjyqësore. Këlliçi ndodhej në hyrje të sallës teksa u mat të shkëmbente një përshëndetje me ish kryeministrin por ky i fundit i kaloi përballë dhe nuk denjoi t’i japë as dorën.
Kjo ka ngritur dyshime për krisje të marrëdhënieve mes tyre. Javët e fundit Këlliçi është përfshirë në një përplasje në distancë me aktivisten Evi Kokalari, e cila është edhe një prej njerëzve të afërt të Sali Berishes. Me gjasa sulmet e Kokalarit nuk duken të jene individuale, duke parë dhe qëndrimin e sotëm të Berishës.
Kokalari ka ndarë sot edhe një video ku shfaqet kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj gjatë fushatës elektorale. Ky i fundit teksa i referohet Belind Këlliçit thotë se ai është dhëndër në PS dhe sapo të kapë vendin do jetë i pari që do dalë kundër kryetarit të tij në atë kohë Lulzim Basha.
“Partia tjetër ka sjellë atë të FRPD. Ai është dhëndër në Partinë tonë. Ai do na shajë sapo të kapë vendin aty. Dhe do jetë i pari që do i hidhet Lulit në fyt me humbjen e tij të radhës” – thotë Veliaj mes të tjerash në videon e shpërndarë nga Kokalari.