Është rrëzuar për herë të tretë në Konferencën e Kryetarëve kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së e quajti skandaloz këtë vendim, ndërsa Taulant Balla tha se të hetosh të gjitha kontratat dhe hapësirën e ligjit nuk është objekt i Komisionit. Edhe pse demokratët i mblodhën firmat 3 herë radhazi, Partia Socialiste në Konferencën e Kryetarëve e rrëzoi sërish kërkesën për të hetuar në parlament kontratat e investimeve strategjike.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, tha se ky është vendim skandaloz që shkel Kushtetutën dhe ligjin për Komisionet Hetimore. Me këtë akt që është i disati në radhë përfundimisht kjo mazhorancë ka vendosur shkatërrimin, eleminimin, asgjesimin total të njërit prej instrumentave më të rëndësishëm që ka parlamentarizmi, që ka opozita, që janë Komisionet Hetimore Parlamentare.”
Alibeaj tha se mazhoranca i trembet këtij Komisioni, ndaj lajmëroi se ditët në vijim do të tregojnë pse ky Komision nuk pranohet.
“Eksponentë të lartë politikë, eksponentë afër mazhorancës të cilët në mëntyrë selektive, korruptive, në konflikt interesi fitojnë investime strategjike. Dhe nuk është e njëjta për të gjithë investitorët seriozë.”
Por kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se opozita nuk ka asnjë fakt dhe indicie për atë që kërkon të hetoje, ndërsa sipas tij kërkesa përmban konflikte me Kushtetutën.
“E drejta e Kuvendit nuk është e pakufizuar, ajo është e kufizuar dhe duhet që të përqaset me nevojën e identifikimit të indicieve por dhe të fakteve konkrete. Të vish dhe të kërkosh që të hetosh të gjitha kontratat ose të gjithë hapësirën e zbatimit të ligjit nuk është objekt dhe nuk mund të jetë objekt i një Komisioni Hetimor.”
Partia Demokratike ka kërkuar hetim parlamentar për kontratat e investimeve strategjike, me argumentin se ky ligj po përdoret për abuzime pasi familjarë dhe të afërm të zyrtarëve të qeverisë kanë fituar miliona euro kontrata dhe prona publike. Kujtojmë se heqja e mandatit të Olta Xhaçkës, është kthyer në një garë mes gruit të Sali Berishës dhe kreut të grupit të Enkelejd Alibeajt.