Rasti i parë me linë e majmunëve është regjistruar në Serbi. Lajmin e ka bërë të ditur Instituti i Shëndetit Publik në vend. Bëhet fjalë për një person të infektuar që është futur në Serbi pasi ka qenë jashtë shtetit.
Diagnostikimi laboratorik i rastit është bërë në Institutin e Virologjisë, Vaksinave dhe Serumeve “Torlak” nga Beogradi.
“Instituti i Shëndetit Publik ka kryer një hetim epidemiologjik për rastin dhe janë marrë të gjitha masat për regjistrimin, testimin, raportimin dhe kontrollin e përhapjes së mëtejshme të infeksionit në përputhje me udhëzimet metodologjike të ekspertëve”.
Sipas udhëzimeve të lëshuara, ndër të tjera nënkuptohet se ekzistenca e një rasti nënkupton praninë e epidemisë së kësaj sëmundjeje në Serbi. Pacienti tashmë do të izolohet dhe do të qëndrojë ashtu derisa simptomat të jenë larguar.
Ajo që dihet deri më tani është se lia e majmunëve është një virus që shkakton temperaturë, skuqje në lëkurë dhe puçrra.
Virusi përhapet përmes kontaktit të ngushtë midis kafshëve dhe, më rrallë, midis njerëzve. Ai është më i zakonshëm për vendet afrikane, por së fundmi ka pasur raste edhe në Europë.