Një grua britanike është përdhunuar gjatë pushimeve të saj në ishullin e Kretës. 33-vjeçarja, emri i së cilës nuk mund të përmendet për arsye ligjore, akuzoi policët se e lejuan përdhunuesin e saj të largohet ndërkohë që akuzojnë gabimisht babain e saj si përdhunues. Policia nga ana tjetër thotë se i moshuari bëri gjeste të turpshme ndaj vajzës së tij teksa të dy po pinin në një lokal javën e kaluar.
Sipas policisë, babai e goditi në fytyrë, më pas e tërhoqi zvarrë në një plazh të shkretë dhe e përdhunoi. Ai u arrestua të shtunën dhe dje doli përpara gjykatës.
“Mund t’ju them 100% se ai nuk më përdhunoi. Unë jetoj me babain tim në Britani të Madhe, isha me pushime me të në Greqi dhe ai është babai më i mirë në botë. Nuk ka mundësi që ai të bëjë diçka kaq të neveritshme. Këtë ia kam thënë policisë greke, por ata thjesht po më injorojnë. Kjo është një situatë tepër stresuese, traumatike, por ka shpresë për ne. Gjyqtari na ka thënë se nëse testi i ADN-së vërteton që nuk ishte babai im ai mund të lirohet” – deklaroi gruaja për DailyMail.
Në lidhje me rastin ishte vetë ajo që bëri një denoncim javën e kaluar, ku i tha policisë greke se e kishin përdhunuar. Ajo pranoi se kishte qenë e dehur dhe se nuk mban mend gjë tjetër veçse, agresori ishte një person që kishte veshur roba të bardha. Policia greke deklaron se ka prova të mjaftueshme që tregojnë se babai i 33-vjeçares, i veshur me të bardha e ka rrahur dhe përdhunuar atë.
“Për sa u përket atyre, babai im është fajtor dhe i takon atij të provojë pafajësinë e tij. Por e di që rezultatet e ADN-së do ta pastrojnë atë. Mezi pres që të dalin rezultatet sepse thjesht dua të kthehem në MB sa më shpejt që të jetë e mundur” – tha vajza.
Burri u paraqit në gjykatë në kryeqytetin e Kretës, Heraklion të martën, ku u deklarua i pafajshëm për akuzat për përdhunim, abuzim seksual dhe dhunë në familje.