Kosova ka dhuruar një paraqitje fantastike në stadiumin “Fadil Vokrri” ku ka fituar me rezultatin 3-2 ndaj Irlandës së Veriut, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve. Fillimisht ishte Vedat Muriqi ai i cili shënoi për përfaqësuesen kosovare në minutën e 9-të. Sulmuesi 28 vjeçar u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke ndezur atmosferën në “Fadil Vokrri”.
Vetëm 10 minuta më vonë, Kosova do të shënonte edhe golin e dytë pas një aksioni fantastik të nisur nga këmbët e Milot Rashicës. 25 vjeçari pasi mori topin në të djathtë, harkoi në zonë ku Bytyqi tundi rrjetën me një gjuajtje të shpejtë.Në minutën e fundit të pjesës së parë, irlandezët do të ngushtonin shifrat e takimit me anë të Shayne Lavery.
45 minutat e para do të mbylleshin me këtë rezultat, ndërsa në të dytën u shënuan edhe dy gola të tjerë.Ashtu si në të parën edhe të dytën “Dardanët” e nisën mjaft mirë, duke gjetur rrugën e rrjetës sërish me Muriqin në minutën e 53-të.Kur dukej se ndeshja kishte mbaruar miqtë do të ngushtonin sërish shifrat me anë të Ballard në minutën e 83-të.
Në minutat e mbetura, irlandezët do të rrezikonin të shënonin sërish portën e Kosovës, por për fatin e mirë të “Dardanëve” nuk arritën të shënonin. Me këtë fitore Kosova shkon në kuotën e 6 pikëve dhe mban vendin e dytë në Grupin 2 të Ligës C.