Pushtimi rus i Ukrainës në kombinim me kriza të tjera globale ka çuar në rritjen më të madhe të kostos së jetesës në dekadat e fundit, theksoi të mërkurën Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara .
Sipas Antonio Guterres, bota po përballet me një “realitet të ri” tre muaj pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, e cila po përkeqëson edhe në pasojata e krizave të tjera globale, siç është kriza klimatike, pandemi e koronavirusit dhe kriza e pabarazive.
Rreth 1.6 miliardë njerëz në 94 vende të botës janë të ekspozuar ndaj të paktën njërit prej dimensioneve të krizave, sipas përditësimit të fundit nga Grupi i Kombeve të Bashkuara për Reagimin ndaj Krizave Globale mbi konfliktin në Ukrainë.
“Për njerëzit në mbarë botën, lufta, së bashku me krizat e tjera, kërcënon të shkaktojë një valë të paprecedentë urie, zhvendosjeje, kaosi social dhe ekonomik”, tha Guterres në një konferencë shtypi në Nju Jork.
Asnjë vend nuk do të mbetet i paprekur nga kriza e shkaktuar nga rritja e kostove të jetesës, tha ai.
Popullatat në mbarë botën do të përballen me rrezikun e urisë, ndërsa kostot e energjisë po rriten pasi të ardhurat për shumë punëtorë zvogëlohen, tha Guterres.
Numri i njerëzve që përjetojnë pasiguri të rëndë ushqimore është dyfishuar në dy vitet e fundi, sipas Guterres.
“Kriza aktuale e sigurisë ushqimore është në rrezik real për t’u kthyer në një “katastrofë globale në vitin 2023”, tha Guterres në një konferencë shtypi.