Partia populiste bullgare ‘Ka një popull të tillë’ (ITN) ka njoftuar largimin nga koalicioni qeverisës me katër parti duke hequr katër ministrat e saj nga kabineti. Lajmin e ka bërë publik lideri i saj Slavi Trifonov në një konferencë për shtyp ku përmendi dhe arsyet se pse mori këtë vendim. Një ndër to ishte se partia në pushtet po përpiqet që të heqë veton për hapjen e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut, rrjedhimisht dhe Shqipërinë, në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Europian.
Sipas Trifonov, kryeministri bullgar u ka premtuar liderëve të BE-së dhe botës se do të heqë veton për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Ai tha se Petkov po bënte maksimumin për ta bërë këtë, edhe pse shumica e bullgarëve duan që Maqedonia e Veriut të fillojë negociatat vetëm kur të jetë në përputhje me Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë të vitit 2017 midis dy vendeve.
“Pra, kryeministri në mënyrë flagrante dhe paturpësisht po shkel marrëveshjen e nënshkruar të koalicionit,” tha Trifonov.
Kryeministri bullgar Kiril Petkov më herët i ka bërë thirrje koalicionit qeverisës dhe opozitës që të mbështesin thirrjen e tij për të hequr veton bullgare për fillimin e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
“E ardhmja e fqinjëve tanë është aq e rëndësishme sa as koalicioni qeverisës nuk mund të vendosë vetëm për të. Ne kemi nevojë për pranim më të gjerë, të gjithë në vend duhet të jenë në harmoni me vendimin”, tha ai gjatë takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në Romë rreth një muaj më parë.
Pikëpamjet e ndryshme për veton në bllokun qeverisës kanë krijuar më shumë distancë mes kryeministrit dhe presidentit Radev duke rindezur konfliktet mes partive të koalicionit.
Mes vetos së vazhdueshme të Bullgarisë për përparimin e Shkupit, kryeministri shqiptar Edi Rama bëri thirrje që vendi i tij të shkëputet nga Maqedonia e Veriut në rrugën e saj drejt integrimit në BE.
“Nëse Bullgaria bllokon sërish Maqedoninë e Veriut në qershor, ne do të ndryshojmë qasjen tonë dhe do t’i kërkojmë Gjermanisë, Francës dhe të gjithëve të na ndajnë”, tha Rama në një konferencë për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Berlin.
Si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Shqipëria kanë pretenduar se vetoja bullgare tashmë ka vënë në rrezik besueshmërinë e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Në vitin 2020, Bullgaria, e udhëhequr atëherë nga kryeministri Bojko Borisov, bllokoi fillimin e bisedimeve të pranimit në BE për Maqedoninë e Veriut mbi mosmarrëveshjet historike midis dy vendeve. Bllokada bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut ka lënë në harresë aspiratat e Shqipërisë fqinje për në BE, pasi shumica e vendeve të BE-së këmbëngulin që Shkupi dhe Tirana të vazhdojnë rrugën e tyre drejt anëtarësimit si çift.