Kuvendi i Shqipërisë do të votojë ditën e sotme kandidaturën e Partisë Socialiste, Bajram Begaj, si President të Republikës. Po nga sot deri në pritje të marrjes së detyrës me ceremoni në Kuvend, ai do të mbrohet nga Garda e Republikës, e cila do jetë përgjegjëse për ruajtjen e kreut të ardhshëm të shtetit.
Nëse Bajram Begaj merr 71 vota e nevojshme, ai duhet të presë deri në 24 korrik për të marrë detyrën, ditën që i mbaron mandati Presidentit aktual, Ilir Meta.
Sipas nenit 88, pika 3 e Kushtetutës, “Presidenti fillon në detyrë pasi bën betimin para Kuvendit, por jo më parë se të ketë mbaruar mandati i Presidentit që largohet”.
Përpara se emri i Bajram Begajt të marrë votat e shumicës në Parlament, ka edhe disa hapa të tjera të përcaktuar në Kushtetutë.
Në orën 10:00, Grupi Parlamentar i PS-së do të mblidhet për të aprovuar kandidaturën e Kryeministrit Edi Rama për President. Në këtë mbledhje, maxhoranca do të mbledhë edhe firmat e të paktën 20 deputetëve, gjë që në kampin socialist nuk është problem. Hapi i radhës është ai i depozitimit të kandidaturës në Kuvend, së bashku me firmat. Kjo gjë duhet të ndodhë brenda orës 12:00, në të kundërt edhe raundi i katërt do të digjet pa kandidat.
Afati i shqyrtimit të kandidaturës të jetë ora 16:00, nga ana e Komisionit të Ligjeve, i cili duhet të japë “OK” për pastërtinë e figurës së Bajram Begajt, 2 orë përpara se emri i tij t’i shkojë Kuvendit për votim.
Mandati i Presidentit në Shqipëri është 5 vite të plota dhe nëse merr mbështetjen e kuvendit, Bajram Begaj do jetë kreu i 8-ti i shtetit pas viteve ‘90.