“Shqipja qysh u është dukur? sa e ëmbël sa e bukur/ 5 vjersha nga vepra Baba Tomorri, Kajro 1902
Poeti i shquar, Andon Zako Çajupi, gjithashtu veprimtar patriot dhe demokrat revolucionar, ka shkruar shumë për vendin e tij. Vjershat e famshme të tij në veprën Baba Tomorri janë ndër më të bukurat. Pesë prej tyre të shkruara në Kajro në vitin 1902, publikohen më poshtë.
JET’ E LIGË
Të mos kesh’ e të mos dish,
Të jesh si një çopë mish…
Të mos dish si të punosh,
Po nga gruaja të rrosh,
T’i bënesh rob dit’ e natë
Për ca pak bukë të thatë;
Ta durosh kur të të rrajë
Dhe të qeç kur të të shajë!
Të mos të të mbajë nderë,
Po të ë thotë ngaherë:
“Ush! gomar nëpër shtëpi,
Si të them u të bësh ti,
Ndryshe të lë pa tagji!…”
Nukë besoj që të ketë
Më të fulliqurë jetë.
Dhe një burrë q’është burrë,
Zbesoj ta durojë kurrë.
Ç’JEMI?…
Greku dhe Bullgari,
Dhe Turku barbari
Nukë dinë ç’janë…
Dhe turp nukë kanë!
Neve, Shqipëtarë,
Jemi komb’ i parë,
Po për turp e kemi
Të themi se ç’jemi.
Njeri do Greqinë,
Tjetri do Turqinë,
Edhe Shqipërinë
S’duanë ta dinë!
Ç’jemi? O të mjerë,
Jemi Shqipëtarë,
Si ne s’ka të tjerë,
Po punoni mbarë!
Në kini, o shokë,
Mëndjenë në kokë,
Harroni Morenë
Dojni Mëmëdhenë!
DHELPRA DHE NJË KOKË GREKU
Dhelpr’ e mallkuar,
Dolli për të gjuar,
Tek zëbrit nga bregu,
Pa një kokë Greku.
Jashtë, për të dukur
Qenka kok’ e bukur,
Po s’paska tru miku!-
Tha dhelpra, dhe iku.
PRISHJ’ E LËKURSIT
NGA GREKU’
Në Sarandë doli Greku,
Në Lëkurs’ u zu dyfeku,
O burra, o Shqipëtarë!
Greku kërkon, të na marrë!
O burra, t’u hidhemi!
Mos trëmbi se s’vritemi,
Me dyfek s’goditemi!
Me këtë zë, nga vërria,
U derdhë çobanëria,
muarrë përpjetë malë.
Dhe zunë Grekret të gjallë,
Ca i vran’ e ca i grinë,
Ca i shpunë në Janinë,
Në det ranë ca të tjerë,
Po u prish Lëkurs’ i mjerë!
O Grekër, o kokëthatë,
Nukë mirret Shqipëria!
Ertht’ e u zutë si gratë,
U turpëroj Perëndia!…
ALEKSANDRI I MATH
Aleksandr’ i Math qe burrë
Me të madhe trimëri,
Shqipëtar që s’gjendet kurrë,
Po ç’bëri për Shqipëri?
Që foshnjë, duke lëftuar
Zotoi të tër’ Asinë,
U bë një mbret i lëvduar,
Po ç’bëri për Shqipërinë?
Me punëra që punoi,
Me trimëri që rrëfeu,
Që kur leu dhe sa rroi,
Ç’të mirë pa Mëmëdheu?
Asnjë të mirë s’ka parë,
Shqipëria mbet e mjerë,
Se trimatë Shqipëtarë
Lëftojnë për të tjerë.
Punojnë pë Turqinë,
Për të ndyrnë More,
Shqipëtari, Shqipërinë,
S’e o, bën sikur s’e nje!
Trima, të varfër, të pasur,
Shqipërin’ kan’ harruar.
Njëri nuk’ i është qasur,
Për të njëri s’ka punuar.
Po ata vdiqnë të tërë,
Dhe Zoti le t’i gjukojë!
Të gjejnë si kanë bërë…
Po Shqipëria të rrojë!