Shqipëria ka nisur presidencën e saj të radhës njëmujore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më datë 1 qershor ku sipas programit të punës të Këshillit për muajin, planifikon të organizojë dy ngjarje.
Do të mbahet një debat i hapur mbi forcimin e llogaridhënies dhe drejtësisë për shkeljet e ligjit ndërkombëtar si dhe një debat i hapur në nivel ministror mbi rolin e organizatave rajonale në zbatimin e agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë në kontekste të trazirave politike dhe marrjes së pushtetit me forcë.
Këshilli pritet të mblidhet për dy çështje evropiane në qershor. Më 6 qershor pritet të mbahet një konferencë mbi ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Ukrainë. Këshilli do të mbajë gjithashtu takimin e tij vjetor për forcimin e bashkëpunimit BE-OKB.
Për sa i përket çështjeve aziatike, Këshilli i Sigurimit do të zhvillojë një debat për Misionin e Asistencës së OKB-së në Afganistan. Në kontinentin amerikan, do të ketë konsultime për Zyrën e Integruar të OKB-së në Haiti.
Më 9 qershor, Asambleja e Përgjithshme pritet të zgjedhë pesë anëtarë të Këshillit të Sigurimit për mandatin 2023-2024, të cilët janë Ekuadori, Japonia, Malta, Mozambiku dhe Zvicra.
Çështje të tjera mund të ngrihen në qershor në varësi të zhvillimeve, sipas programit të punës të Këshillit të Sigurimit. Këshilli i Sigurimit ka 15 anëtarë dhe përgjegjësia e tij kryesore është ruajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Presidenca e Këshillit mbahet nga çdo shtet anëtar për një muaj.