Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi për gjendjen ekonomike në vend, duke theksuar se deficiti tregtar rezulton të jetë 14.4% më i lartë sesa në qershor 2015, ndërsa eksportet 6.4% më të ulëta se sa një vit më parë.
Ulje sipas kreut demokrat, kanë shënuar edhe importet, ku në muajin qershor ato ishin 1.6% më të ulëta krahasuar me muajin paraardhës.
Basha: Këto janë të dhënat që tregojnë luftën e biznesit për të prodhuar, për të ekzistuar madje, nën tutelën armiqësore e të dhunshme të një qeverie që vetëm rrit taksat, shton gjobat, ngre çmimet e energjisë dhe naftës, dhe nuk kryen asnjë punë, asnjë shërbim. Taksat e larta, korrupsioni, dhe armiqësia ndaj punës dhe prodhimit mungesa e besimit dhe i kane marrë frymën biznesit, duke e detyruar atë të mbyllet, ose të shkurtojë vendet e punës, duke sjellë këto rezultate. Fuqia blerëse është në kuotat më të ulëta historike, për shkak të varfërisë, papunësisë e mungesës së të ardhurave. Kjo është vepra e vërtetë e keqqeverisjes se Edi Ramës prandaj ai rreket me çdo çmim ta heqë debatin nga hallet e vërteta të njerëzve me llomotitjet e konfliktit politik.