Janë mbyllur hetimet për 7 persona të pandehur dosja e të cilëve do të dërgohet për gjykim për shpërdorim detyre dhe korrupsion lidhur me anulimin e gjobave të disa televizionëve kabllorë në qytetin e Elbasanit.
Mes të pandehurve është gazetarja, ish anëtare e Autoritetit të Medias Audiovizive, Suela Musta e cila akuzohet se ka votuar pro heqjes së dy gjobave për kabllorin “Brado” në Elbasan. Musta akuzohet për “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Po ashtu, dy ish-anëtarë të tjerë të AMA-s, Izmir Hajdari dhe Andrea Nathanaili janë dërguar për gjykim me akuzën e korrupsionit dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Emrat e tyre dolën në skenë gjatë përgjimeve të anëtarëve të fisit Çapja në Elbasan, disa prej të cilëve ishin pronarë të një televizioni privat kabllor.
Përpara togave të zeza do të shkojnë edhe administratorët e kabllorëve në Elbasan Bledar Karaj, Artan Drazhi, Adem Boriçi dhe Shkëlqim Sula. Ndërsa për Ervin Tahirin kanë rënë akuzat.
NJOFTIMI I SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal Nr. 165/2020.
Nga sa ka rezultuar nga hetimet, pronarët e televizioneve kabllorë në Qytetin e Elbasanit, ushtronin veprimtarinë e transmetimit të televizioneve kabllore pa autorizim paraprak nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, në shkelje të të drejtave të autorit.
Nëpërmjet pagesave që u bënin Zyrtarvë te Autoritetit të Mediave Audiovizive, apo pagesave që u bënin ndërmjetësve të cilët premtonin ndërhyrjen tek zyrtarët e Autoritetit të Mediave Audiovizive, këta operatore të transmetimit të televizioneve kabllorë, vijonin veprimtarinë e transmetimit të kanaleve, pa lidhur kontratat përkatëse me mbajtësit e të drejtave të autorit, dhe pa autorizim nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.
Në përfundim të fazës hetimore, janë marrë të pandehur dhe është kërkuar dërgimi i çështjes për gjykim për shtetasit:
1.Izmir Hajdari, punonjës pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal;
2.Suela Musta, me detyrë anëtare e Bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, e akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal;
3.Andrea Nathanaili, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal;
4.Bledar Karaj, Artan Drazhi, Adem Boriçi dhe Shkëlqim Sula, pronarë/administratorë të operatorëve të transmetimit të televizioneve kabllorë, apo punonjës pranë këtyre operatorëve, të akuzuar për kryerjen e figurave të veprave penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim dhe “Shkelja e të drejtave të autorit” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244 dhe 25, 245/1 paragrafi 1 dhe 25, dhe 149 paragrafi 2 i Kodit Penal;
Ndërkohë është kërkuar në gjykatë, pushimi i procedimit penal, në ngarkim të personit nën hetim Ervin Tahiri, pasi nuk u provuan akuzat e sipërcituara në ngarkim të tij.