Kreu i grupit parlamentar socialist, Tulant Balla tha se Partia Socialiste ka të gjithë dëshirën e mirë që pjesë e procesit për zgjedhjen e Presidentit të përfshihet edhe opozita, por theksoi se nuk mundet të kthehet një kërkesë e rrezuar, duke iu referuar këtu pretendimeve të Alibeajt. Në lidhje me mos miratimin e kërkesës së PD për Komision Hetimor për Investimet Strategjike Balla tha se PD nuk respekton procedurat.
“Kemi ndjekur një proces që do ta quaja tepër korrekt në marrëdhënie me atë që thotë kushtetuta. Në raundin e dytë dhe të tretë ramë dakord që propozime të ketë vetëm nga opozita. Tani na takon ne që sikurse e kam thënë PS ka institucionet e veta të vendimmarrjes. Kryesia është organi më i lartë vendimmarrës në emër të PS. Vendimi i kryesisë do të bëhet publik e po ashtu duhet që vendimi ti jepet e grupit parlamentar se nga aty deputetët do mbështesin me firma kandidatin apo kandidaten. Natyrshëm unë dhe dy kolegët e tjerë do kemi informim të Kryesisë së PS për ecurinë e procesit e prisni ditën e premte, do ua themi Kryesisë një herë pastaj juve. Është e rëndësishme të kemi një president që përcakton kushtetuta. Dëshira jonë ishte që ta zgjidhnim me opozitën. I kam shprehur keqardhjen opozitës për mospjesëmarrje në fazën e 3. Si bën nder opozitës që të kthehet në format e vjetra të bojkotit. Bojkoti i ka dhënë leksione çdo partie. Leksionet të bëhen mësime. Për presidentin nuk përjashtojmë asnjë gjini” – tha Balla.