Zbardhen pjesë nga dëshmia e dhënë në polici e efektivit që disa ditë më parë plagosi me armë zjarri një 60-vjeçar në Kombinat.
Rrëfimin e parë për L. Gjylën, policin e prangosur nën akuzë për plagosje të rëndë e ka dhënë përpara kolegëve polici i këtij reparti shtetasi S.H. Siç mëson gazeta Si, polici dëshmitar si edhe kolegët e tjerë që po pyeten nga AMP për të sqaruar performancën policore dhe çfarë realisht ndodh brenda komisariateve tregon se e mori shërbimin nga ora 14.00 deri në orën 19.00.
“Në këtë moment kërkova të ndërrohesha nga vendshërbimi në vendrojën numër 2, sepse isha pak pa qejf dhe me dhimbje koke”-deklaron për kolegët polici.
I pyetur se kur e pa kolegun që më pas kreu ngjarje duke rrezikuar jetën e një qytetari, S.H kujton se e pa atë ditë dhe se ai duhet të ishte në detyrë.
“Ai u fut në ambientin e repartit me sa kujtoj me Citroen ngjyrë blu rreth orës 17.30. Në momentin që po futej më tha, po shkoj të lë diçka apo të marr diçka, s’më kujtohet si ma tha, dhe do dal.”
L . Gj ishte pasagjer dhe në timon ishte një shtetas tjetër rreth 40 vjeç, të cilin ma prezantoi si kolegun tonë nga Amerika. Njoftova menjëherë sallën duke treguar se kolegu ynë Luftiu do hynte në dhomën e tij në repart dhe do dilte. Punonjësi i sallës më tha dakord. L. doli pas dhjetë minutash dhe me sa mbaj mend rreth orës 18.30 e kam parë përsëri, ku më tha po iki në shtëpi. Realisht efektivi që iu justifikua oficerit roje se do ikte në shtëpi, po bënte xhiro nga reparti në lokal ku dhe ka konsumuar alkool.
Salla operative u njoftua për plagosjen e një qytetari rreth orës 21.00 dhe sipas komisariatit numër 6 rezultoi se autor i ngjarjes me armën e shërbimit ishte polici L.GJ, kurse qytetari i plagosur u identifikua si shtetasi Llazi Miho. Policia tregon se kur pa që nga sjelljet në komisariat dhe aroma e gojës i dyshuari kishte konsumuar alkool atij iu bë testi i shpejtë. Sasia e parë ishte tej normës normale prej 1,228 miligramë për litër thënë ndryshe në gjendje të alkoolizuar.
Burimet thonë se në dhomën e policit në komisariat u gjet një armë pistoletë e vendosur në kokën e krevatit të tij dhe me krehërin të hequr nga foleja, kurse në dysheme u gjet një fishek i paplasur. Por ky përshkrim policor nuk ka aspak lidhje me vendin e krimit, aty ku u plagos qytetari, dhe që ishte një lokal.
Polici duhet të ishte në detyrë thanë burimet e gazetës Si pranë agjencisë dhe duhej të ishte planizuar në turnin e dytë. Mbasi është qetësuar dhe i ka dalë alkooli ai tregon:
Isha në lokal së bashku me ca të njohur. Teksa pinim birra, tek tavolina u afrua një shtetas që e njoh me emrin Myrto të cilin e ftova për ta qerasur. Por në atë moment Myrto më kap pistoletën që unë e kisha në brez, ma mori dhe lëvizi shtratin e armës. Në atë moment arma që Myrto mori në dorë kreu qitje dhe kështu u plagos shtetasi Myrteza Lika.