Gjatë vizitës në Shqipëri, Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias pati një takim dhe me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos me të cilin ka zhvilluar një diskutim të gjatë. Lajmi bëhet me dije nga mediat greke, ndërsa nuk jepen detaje rreth bisedës.
Ministri grek e nisi vizitën e tij nga Himara ku u takua me kreun e OMONIA-s për Himarën, Fredi Beleri, me të cilin diskutoi rreth problemeve që shqetësojnë minoritetin grek në vendin tonë. Ai gjithashtu u takua me ministren Xhaçka, ku falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e kandidaturës greke në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2025-26 dhe shtoi se shpreson të presë homologen e tij shqiptare në Athinë.
Në përfundim të vizitës ai u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të cilit i përcolli përshëndetjet e ngrohta të kryeministrit, Kyriakos Mitsotakis.