Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka folur sot në emisionin “Kjo Javë” për Fatos Nanon si një kandidat potencial për postin e presidentit të vendit.
Gjiknuri tha se nëse opozita bie dakord për ish-kryeministrin Nano, ai mund të jetë një prej kandidatëve të mundshëm për tu vendosur në krye të vendit.
“Personalisht nuk e përjashtoj. Përjashtimi i vetëm për ne është që të mos jetë pjesë e grupit parlamentar të PS-së. Nëse opozita e pranon edhe ai mund të jetë kandidat”, tha Gjiknuri.
Nga ana tjetër Gjiknuri e cilësoi kërkesën e opozitës për t’i zhvilluar negociatat në prani të medias si një indikator i frikës për të marrë vendime.
“Nuk e kuptoj si mund të zhvillohen negociata me kamera. E di si më duket kjo e kamerave, si ai njeriu që ka frikë të marrë vendime. Nuk është transparencë. Ka vendime që merren përpara kamerave, si p.sh. të themelosh një princip, siç ne ramë dakord në atë tavolinë që u bë me kamera, që ramë dakord të diskutojmë propozimet e opozitës”, tha Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm sqaroi se është keqkuptuar pjesa e firmave, pasi Partia Socialiste nuk i ka kërkuar grupit negociator të PD-së 20 firma, por i ka kërkuar emra konkretë.
“Është keqkuptuar kjo pjesa e firmave. Ne nuk i kemi thënë hajde me firma, por hajde me emra në tryezën e negociatave. Nëse biem dakord për një emër pastaj ke detyrimin të sjellësh firmat. Partia Socialiste në momentin që bie dakord për emrin siguron votat e saj, ama dhe t’i nga ana tjetër sigurosh votat, 20 firmat duhet t’i kesh të garantuara që të propozosh më pas emrin”, deklaroi Gjiknuri.