Kryeministri Albin Kurti në kuadër të vizitës në ShBA, ka takuar kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresistin Gregory Meeks, ku u ritheksua rëndësia e raporteve dhe marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit mësohet se u diskutua për pasojat për sigurinë e kontinentit të Evropës pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe për rrezikun që ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor paraqet për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Kongresisti Meeks tha se Serbia duhet t’i pranojë krimet në Kosovë dhe ta njohë Republikën e Kosovës. Ai tha se marrëdhëniet me Kosovën janë shumë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Kurti e falënderoi kongresistin Meeks për qëndrimet dhe mbështetjen ndaj Republikës së Kosovës dhe e ftoi që ta vizitojë Kosovën” – thuhet në komunikatë.