Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur rrugën për emërimet e reja. Në mbledhjen e ditës së sotme u bë me dije se ka përfunduar verifikimi i figurës dhe pasurisë për 22 kandidatë.
Emrat për të cilët ka përfunduar verifikimi janë: Ajkuna Anxhaku; Alban Syri; Albulena Kuliçi; Alisa Spahja; Armida Kaçi; Besmira Vishe; Blerina Musabelliu; Denis Hyka; Denisa Plaku; Eni Çulli; Entela Hasmujaj; Esmeranda Basho; Griselda Haxhiaj; Iva Harka; Ledjana Shkurti; Leondard Suçi; Matilda Peza; Ndriçim Halilaj; Redona Ndoni; Urim Kalia dheVasjana Postol.
Njoftimi i plotë:
Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi ditën e enjte, më 19 maj 2022, mbledhjen plenare të radhës, në prezencë të 9 (nëntë) anëtarëve të Këshillit (në mungesë të zonjës Mirela Bogdani), si dhe në prani të përfaqësuesit të misionit OPDAT në Shqipëri.
Nën drejtimin e kreut të Këshillit Lartë të Prokurorisë, zotit Alfred Balla, mbledhja ka nisur me miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 28.04.2022.
Më pas me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi pranimin e kërkesës dhe miratimin e qëndrimit në detyrë për zotin Pelivan Malaj, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, deri në mbushjen e moshës 70 vjeç. Gjithashtu, bazuar në relacionin shpjegues të përgatitur po nga ky Komision, Këshilli vendosi të njoftojë fillimin e procedurave për plotësimin e një vakance të përkohshme, nëpërmjet procedurës së transferimit të përkohshëm me pëlqim, për një periudhë 6 (gjashtë) mujore, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër.
Këshilli, bazuar në relacionin e paraqitur për shqyrtim nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, vendosi shfuqizimin e vendimit të drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë sipas ankimit të adresuar nga prokurori Ilir Hasa.
Në vijim, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, miratoi dy raporte për “Analizimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit”, specifikisht për subjektet e rivlerësimit, prokurorët Elsa Kareçi dhe Skënder Mestani.
Bazuar në relacionet e përgatitura nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi të vlerësojë të përfunduar verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve për t’u emëruar prokurorë, si më poshtë:
Ajkuna Anxhaku
Alban Syri
Albulena Kuliçi
Alisa Spahja
Armida Kaçi
Besmira Vishe
Blerina Musabelliu
Denis Hyka
Denisa Plaku
Eni Çulli
Entela Hasmujaj
Esmeranda Basho
Griselda Haxhiaj
Iva Harka
Ledjana Shkurti
Leondard Suçi
Matilda Peza
Ndriçim Halilaj
Redona Ndoni
Urim Kalia
Vasjana Postol
Këshilli shtyu për diskutim çështjet e tjera për seancën e radhës.