Google Play Store është në përdorim me kufizime shumë të mëdha në Rusi, për shkak të sanksioneve të Perëndimit pas sulmit ndaj Ukrainës. Së shpejti nis nga puna një alternativë ruse, që e ka kapërcyer fazën e testimit.
Alternativa ruse ndaj Google Play Store ndodhet në fazë testimi. Ajo do t’u krijojë mundësinë përdoruesve që të shkarkojnë aplikimet që ofrohen me para për Smartphone-Android, të cilat nuk janë më në dispozicion për përdoruesit nga Rusia, pas sulmit të Moskës ndaj Ukrainës. Vetëm aplikimet falas mund të shkarkohen si më parë.
Emri zyrtar i tregut të ri për aplikimet në celular është NashStore dhe fillimisht u tha se do të vihej në dispozicion ditën e festës së 9 Majit. Dita e festës kombëtare të 9 majit përkujton fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Çfarë është NashStore?
NashStore, që do të thotë „dyqani ynë” është një aplikim që funksionon në Smartphones Android dhe në pajisje të tjera. Ajo i krijon mundësinë përdoruesve në Rusi dhe në vendet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik të lidhura me Moskën, që të shkarkojnë aplikime që blihen me para, t‘ i installojnë dhe aktualizojnë ato, ose të bëjnë pagesa për abonime, njëjtë si tek Google Play Store. Zhvilluesi i këtij aplikimi e vlerëson atë si „rezistent ndaj sanksioneve”.
NashStore funksionon me kartat bankare ruse në kuadër të sistemit të pagimit Mir, që është krijuar për t’i shpëtuar sanksioneve të mëparshme ndërkombëtare kundër Moskës dhe për të zvogëluar varësinë e Rusisë nga platformat amerikane të pagesave, si Visa dhe Mastercard.
Megjithatë, ky dyqan aplikimesh ka shumë më pak aplikime në numër se sa Google Play Store, megjithëse sipas faqes së internetit, The Register, 500 zhvilluesa i janë bashkangjitur komunitetit të NashStore.
Pse është krijuar NashStore?
Që prej muajit mars janë në fuqi sanksionet e Perëndimit të vendosura kundër sektorit financiar dhe bankar rus, për shkak të sulmeve të Moskës kundër Ukrainës.
Kjo i dha shkas koncernit Alphabet, ku mes të tjerave bën pjesë edhe Google Play dhe Youtube, që të ndërpresë në platformën e tij për Rusinë, të gjitha shërbimet që bazohen tek pagesat. Kjo do të thotë se përdoruesit rus nuk mund të bëjnë më abonime gazetash, revistash, librash dhe përmbajtje audiosh apo videosh, që shkarkohen në aparatet e tyre android prej Google Play Store.
YouTube madje i mbylli burimin e parave prodhuesve të videoklipeve në Rusi, gjë që bëri që youtubasit rusë të kalonin në platformën konkurruese të vendit, në RuTube. Si masë kundërpërgjigjeje Kremlini bëri kufizimin e aksesit në platformat e mediave sociale perëndimore si Twitter, Facebook dhe Instagram në Rusi dhe i akuzoi ato se përkrahin Perëndimin në shpërndarjen e dizinformacioneve lidhur me invazionin ndaj Ukrainës, që Moska e quan „operacion special ushtarak”.
Kush fshihet pas NashStore?
Aplikimi i ri është zhvilluar nga platforma digjitale ANO. Kur bëri njoftimin e projektit në fund të muajit mars, Vladimir Zykov, drejtor i projekteve në platformën digjitale tha: “Për fat të keq rusët nuk mund ta përdorin më normalisht Google Play-in, për të blerë aplikime dhe zhvilluesit kanë humbur burimin e të ardhurave.” Prandaj, është krijuar dyqani rus i aplikimeve, NashStore.
Në një letër në faqen e internetit të NashStore mbrohet krijimi i aplikimit: Për shkak të „presionit të madh të firmave perëndimore” ndaj Rusisë, është „detyrë e organizatave dhe shoqatave publike të bëjnë gjithçka, për t’u ofruar alternativa vendase firmave dhe qytetarëve rus.” Sipërmarrja që fshihet pas aplikimit, është njëkohësisht shoqatë e sektorit të teknologjisë dhe firmave konsultuese të teknologjisë së informacionit. Përveç kësaj, platforma digjitale ANO zotëron një bazë të dhënash, që bën bashkë zhvilluesit e softwareve me klientët e bizneseve.
Përse u planifikua fillimi për 9 Maj?
9 Maji është për rusët një ditë me rëndësi të madhe simbolike. Vendi organizon tradicionalisht një parade të madhe ushtarake në Sheshin e Kuq në Moskë, për të festuar përvjetorin e kapitullimit gjerman dhe fitoren e Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Nën kryesimin e më pas presidentin Vladimir Putin, paradat janë bërë edhe më gjigande dhe kjo ditë fitoi gjithnjë e më shumë peshë në Rusi. Këtë vit rëndësia u shtua edhe më shumë për shkak të luftës në Ukrainë dhe futja në përdorim e aplikimit shihet si reagim ngushëllues për sanksionet perëndimore që kanë paralizuar ekonominë ruse./ DW