Ka pasur debate mes deputetëve në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, për situatën në parti dhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri. Qëndrimet e mbajtura në rrjetet sociale, lidhur me zhvillimet në parti, deputeti Ervin Salianji i bëri me dije edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, të thirrur nga Enkeljed Alibeaj, ku në fokus është zgjedhja e presidentit të ri.
Salianji tha se duhet të shtyhet mbledhja dhe të zhvillohet kur pjesëmarrës të jenë të gjithë deputetët. Ndër të tjera ai tha se çështja e presidentit apo çështje të tjera duhet të diskutohen fillimisht në grup parlamentar dhe jo të bëhen fakt i kryer.
Pjesë nga debati:
Ervin Salianji: Duhet ta shtyjmë mbledhjen dhe të mblidhemi kur të jenë të gjithë. Duhet të ulemi me kryesinë e grupit dhe të vijnë deputetët. Nuk ka sens të kërkohet autorizim për t’u ulur me Ramën dhe nuk ulemi me njëri-tjetrin. Reforma territoriale dhe zgjedhore absolute për ne. Presidenti dhe çdo çështje tjetër duhet të diskutohet në kryesi grupi dhe në grup parlamentar, jo fakt i kryer.
Nga ana tjetër deputeti Kreshnik Çollaku është shprehur se PD duhet të marrë pjesë në zgjedhjen e Presidentit.
Kreshnik Çollaku: Duhet të marrim pjesë në tryezën për të zgjedhur kandidatin për president, pa komplekse. Të jetë figurë me integritet.
Ndërsa deputetë të tjerë janë shprehur pro marrjes pjesë në procesin për zgjedhjen e presidentit.
Lefter Gështenja: Edhe pse ne e dimë që Rama i ka numra ne duhet të marrim pjesë duke vendosur kritere të sakta se kush duhet të jetë presidenti. Para opinionit publik ne nxjerrim 1 2 3 ose 4 kandidatë potenciale që kanë reputacion në opinionin publik. Duke sfiduar mazhorancën me kandidatë me integritet. E sigurt që qytetarët do të na vlerësojnë për këtë zgjidhje. Kushti im është që presidenti të jetë ani-komunist që nuk shitet e nuk blihet.
Saimir Korreshi: Të propozojmë një emër për President. President që ne besojmë që bën. Duhet patjetër të marrim pjesë në reformën territoriale.
Ferdinand Xhaferraj: Të marrim pjesë por mos të përdoremi nga procesi. Të negociojmë me faktorin ndërkombëtar për procesin.