Në vitin 2021 por edhe pëgjatë këtij viti, çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm. Një vrojtimi kryer nga Banka e Shqipërisë tregon se 90% e familjeve në vend janë pronarë të një banese, që në të shumtën e rasteve e kanë përfituar pas vitit 1996.
Por të bëhesh pronar i një apartamenti në vitet e fundit është bërë shumë e vështirë për shkak të çmimeve tejet të larta. Prej vitit 2015 çmimet e shtëpive kanë njohur një rritje të lartë, ndërkohë banka qendrore raporton se vetëm në vitin e kaluar apartamentet u shtrenjtuan me 9% në raport me vitin 2020. Rritja më e madhe është konstatuar në kryeqytet me 12.3%, ndërsa në bregdet sipas vrojtimit çmimet kanë rënë.
Agjentët e tregtimit të pasurive të paluajtshme presin rritje të çmimeve edhe për 2 vitet e ardhshme. Ndikim në këtë rritje të çmimeve vlerësohet të kenë dhënë kostot e shtuara të ndërtimit, që u rritën me 3%, të ndikuar më së shumti nga materialet e ndërtimit më të shtrenjta.
Si pasojë e vlerës së lartë që duhet shpenzuar për të blerë një apartament 1/3 e pronave janë blerë me kredi, duke marrë në konsideratë dhe kushtet lehtësuese dhe normat e ulta të interesit që bankat ndjekin për kredi për shtëpi.
“Rreth 30% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në gjysmën e rasteve kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Nga ana tjetër duke vlerësuar dhe rëndësinë e këtij tregu, banka po punon për të pasur më shumë të dhëna mbi zhvillimet demografike apo sipërfaqet e disponueshme në ndërtim. Kjo lëvizje vjen në kushtet kur ecuria e çmimeve në atë treg është e paqëndrueshme. Sipas bankës çmimet në treg nuk reflektojnë kërkesën dhe ofertën për prona, prandaj duhet të monitorohen me kujdes rreziqet që paraqet tregu.