Policia e Kosovës ka njoftuar se është gjetur dhe konfiskuar pistoleta, e cila është përdorur për vrasjen e 23-vjeçarit dhe plagosjen dy vëllezërve të tij në Klinë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 3 gëzhoja dhe 1 fishek. Vrasja ka ndodhur në parkingun e një restorant në Volljakë të Klinës.
Viktimat fillimisht janë dërguar në QKMF-Klinë, e më pas në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e njërit nga të lënduarit.
Policia ka treguar edhe inicialet e të dyshuarve për këtë rast.
A.G. lindur me 1980,·N.G. lindur me 1992, A.G. lindur me 1998, B.G. lindur me 1985, B.G. lindur me 1974
Pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të shtetit të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh. Trupi i pa jetë i viktimës me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore (IML) për obduksion.
Dy të plagosurit kanë refuzuar që të shtrohen në Spitalin e Pejës, dhe menjëherë pasi kanë marrë ndihmën e parë, janë larguar për në shtëpi.
Lajmin e ka bërë të ditur Drejtori i Spitalit të Pejës, Skënder Dreshaj.
“Pacientët kanë refuzuar qëndrimin në spital. Pas marrjes së ndihmës së parë, përkundër që mjeku dhe ekipi kujdestar kanë insistuar që ata të shtrihen në spital për 24 orë, ata kanë refuzuar dhe kanë shkuar në shtëpi. Lëndime kanë pas, por kanë refuzuar të qëndrojnë në spital”, ka thënë Dreshaj.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:43 minuta të enjten, atëherë edhe kur ishte njoftuar Policia se në Klinë ka pasur të shtëna armësh dhe të plagosur.