Kryeministri Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të votojnë për Shaip Kamberin pas vendimit për përsëritje të zgjedhjeve në një qendër në Bujanoc.
Kurti ka shkruar se në vendvotimin në të cilin do të përsëriten zgjedhjet janë 1089 vota e që Kamberi të fitojë edhe një mandat si deputet në Parlamentin e Serbisë i duhen 650 vota.
“Një përqindje e vogël e votave mund të ndryshojë situatën dhe shqiptarët të mund të marrin një ulëse në Kuvendin e Serbisë. Pas vendimit për përsëritjen e zgjedhjeve në qendrën 6 të vendvotimit në Bujanoc, janë rritur gjasët që bartësi i listës së Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, z. Shaip Kamberi, të fitojë edhe një mandat deputeti. Potenciali votues i vendvotimit 6 është 1089 vota. Nevojiten 650 vota ose votimi i 60% të qytetarëve nga lista e votimit që z. Kamberi të vazhdojë përfaqësimin e shqiptarëve”, ka shkruar Kurti.
Shefi i qeverisë kujtoi fjalimin që Kamberi kishte bërë për herë të parë në Kuvendin e Serbisë në gjuhën shqipe.