Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka takuar sot Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA-së për Evropën dhe Azinë, Karen Donfried, me të cilën ka biseduar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështje të tjera aktuale gjeopolitike.
Sipas komunikatës nga ky takim, bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për qëndrimin e Serbisë ndaj situatës në Ukrainë, por edhe për diversifikimin e burimeve energjetike në Serbi dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, presidenti Vuçiq theksoi se “për Serbinë është me interes kyç ruajtja e stabilitetit në rajon dhe se në këtë kuptim përmirësimi i bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë dhe reciprokisht i dobishëm është një pikënisje themelore dhe e pandryshueshme e politikës së jashtme të vendit tonë”.
Vuçiqi veçanërisht ka potencuar nismën “Ballkani i Hapur” si shembull i bashkëpunimit të suksesshëm rajonal dhe luftës për qëllime të përbashkëta, duke theksuar se është mënyra më e mirë për të përgatitur shtetet e rajonit për anëtarësim në BE, por edhe një mundësi për të arritur standardet evropiane përpara se të anëtarësohen, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer mendime edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke rënë dakord se çështjet e hapura në dialog mund të zgjidhen nën kujdesin e BE-së për të arritur zgjidhje kompromisi.
“Pala jonë i ka përmbushur obligimet e veta, ndërsa Prishtina me këmbëngulje i shmanget zbatimit të obligimeve të saj. Edhe nëntë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit dhe Planit të implementimit, nuk ka filluar themelimi i Asociacionit të komunave serbe”, ka thënë Vuçiqi, duke potencuar se “Beogradi është plotësisht i përkushtuar në dialog, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të arritur një marrëveshje të pranueshme reciprokisht”.
Më tej thuhet se Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Aziatike Karen Donfried theksoi se Shtetet e Bashkuara angazhohen fuqishëm që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe përsëriti se ky është një nga prioritetet e politikës së jashtme amerikane për rajonin.
“Duke përshëndetur nismën ‘Ballkani i Hapur’ dhe synimin e Serbisë për të vënë çështjet ekonomike në fokus të bashkëpunimit rajonal, Ndihmësja e Sekretarit amerikan të Shtetit theksoi se kjo nismë paraqet një mundësi për të promovuar më tej potencialin investues të rajonit”, thuhet në kumtesën nga takimi