Nga Ermal Mulosmani
Më pak se katër vjet më parë, më 22 Maj 2018, Edi Rama do të deklaronte në emfazë: “Ilir Meta është Presidenti më i mirë i të gjitha kohërave”. Ndërsa kur u pyet në fund të Nëntorit 2021, deklaroi: “Kushdo që të jetë President e kryen punën më mirë se Ilir Meta”.
Meta i 2018-ës vinte pas fitores më të madhe politike të partisë së tij, LSI-së. Kishte marrë 225 mijë vota dhe 19 mandate deputeti, një rezultat i paimagjinueshëm nëse kemi parasysh se sistemi ynë elektoral penalizon partitë e vogla. Për Partitë e mëdha, PS dhe PD, mbesnin në dispozicion vetëm 121 mandate çka të bënte të besoje se, në çdo rast, nuk ka Qeveri pa LSI-në…
Mjaftonte që asnjëra nga të dyja të mos merrte 70 deputetë. Çka ishte krejt e mundur në 121 vende që kishin mbetur…
Mirëpo Partia Demokratike pësoi katastrofë elektorale atë vit duke mos marrë më shumë se 43 deputetë dhe duke ia lënë pushtetin të vetëm Edi Ramës. Ilir Meta u mbyll i dëshpëruar në kullën e Presidencës të cilën e kishte pranuar me shpresën se, përveç saj, do të kishte edhe rol të rëndësishëm në Qeverinë e ardhshme. Ky kombinim do t’i jepte peshën dhe rëndësinë e duhur një Institucioni që e kishin kthyer në noter të Qeverisë, pa asnjë kompetencë reale bllokuese.
Marrja e maxhorancës absolute nga Rama, shënonte praktikisht fundin e peshës së politike të Metës. Ai e kuptoi menjëherë se përkundër 19 mandateve e 225 mijë votave, askush nuk e pyeste më. E kishin mbyllë në një kullë fildishi të luante me macet. Fati po tallej me të.
Meta po priste me durim të vinte momenti i tij. Shpresonte shumë për reforma që do kërkonin 2/3 dhe të bëhej i rëndësishëm sërish. Ndaj nuk e humbi toruan. Ishte kjo periudha kur Rama e lavdëronte, viti i parë i Presidencës. Me fjalë të tjera po i thoshte “Rri kështu, me macet, jep dekorata e bëj udhëtime nëpër male dhe me mua do i kesh punët paq”….
Mirëpo erdhi Shkurti i 2019-ës dhe Opozita dorëzoi mandatet. Kjo ishte katastrofale! Sidomos për Metën që deri atëherë po kaliste durimin. Këtu filloi të ishte një Metë tjetër.
Pushteti rekrutoi nga fundi i listave opozitare njerëz që ishin futur aty për të përmbushur një formalitet elektoral, pa asnjë shans, as teorik, për tu bërë ndonëjherë deputetë.
Opozita po shkonte në pikiatë dhe Meta nuk mund të bënte asgjë për ta ndaluar.
Ai po përballej me sindromën e vrapit në ëndërr. Përkundër dëshirës për të vrapuar me galop, një mekanizëm i padukshëm i bllokonte këmbët, trupin. Pesha e uniformës së Presidentit e pengonte të vraponte siç donte ai. Ishte një peshë boshe, një ironi e fatit. Meta po kuptonte se nuk kishte asgjë në dorë, po vërtetë asgjë. Retorika e “figurës unifikuese të kombit” e broçkulla të tilla që përdoreshin nga pushteti për ta tallur e izoluar në mosveprim, ia gërrisnin nervat.
Ishte ky momenti kur Meta vendosi të heqë veladonin e rëndë e të mykur të Presidentit dhe veshi atletet e opozitarit. Pa pyetur më për etikë apo shkelje të unitetit kombëtar. I dhjeu në të figurës përbashkuese, kompetencave honorifike apo vetëpërmbajtjes etike. Rama e nxori nga binarët. Nuk mjaftohej që e kishte izoluar në burgun presidencial por edhe e tallte për veprimet e tij të shkalluara.
Meta u lëshua në teprime. Jepte dekorata, konferenca shtypi, bërtiste, shante, mallkonte, bënte mitingje. Krejt sipas skenarit të Ramës. Sa herë bënte kundërshtime ligjore me vërejtje përmbajtësore, të argumentuara, profesionale, të pakundërshtueshme (kjo ndodhte jo pak herë), shumica ia kalonte në votim dhe ia rrëzonte. Ishte në krye të një posti qesharak. Nga marazi dilte me Çimin dhe Besin nëpër male apo takonte Ard Daullexhiun, këndonte e kërcente për faqe të zezë e bëhej objekt talljesh publike.
Pushteti mori nisma shkarkuese për ta kthyer në lolo. Sillej me dosje në Strasburg si të ishte nëpunës civil. I ngrati. E thërriste Ulsi Manja e i kërkonte llogari në Komision Parlamentar. Tmerr. Nuk kishte ku të vente më keq….
Në fakt Edi Rama nuk po tallej me Ilir Metën. Ai po tallej me Presidentin e Republikës dhe mënyrën sesi e kishte katandisur institucionin e Presidentit. Një institucion me emër të fryrë, pa asnjë kompetencë ekzekutive, të izoluar, pa peshë politike.
Ky ishte edhe qëllimi i ndryshimeve kushtetuese në 2008-ën. Kthimi i Presidentit në një zyrë protokolli të Kryeministrit, një përbuzje ndaj postit të tij. Atë kohë i duhej Berishës për t’i dëshmuar forcën Bamir Topit. Tashmë i duhet Kryemjeshtrit që tallet me gjithçka. Sidomos nëse në atë karrige ulet ndonjëri që pretendon se ç’është…
Tallja me institucionin e Presidentit po arrin kulmin këto ditë. Jo nga mëtuesit pompozë që vetëkandidojnë. Ata vetëm sa ia shtojnë kënaqësinë Kryetallësit. Tallja e vërtetë është me zarfet që u jep deputetëve. Lëshohen të ngratët, plotësojnë propozime plot seriozitet. I hedhin ato zarfe triumfues, duke i mëshuar momentit të futjes në kuti. Fillojnë kulisat, thashethemet. Mimi, Pandi, Valentina, Lindita, Vali, Besiana, Lea…
Në shtyp shkruhet se Mimi ka marrë shumicën absolute. Mimi e shkretë emocionohet, falenderon, shpreh mirënjohje.
Befas, në sallë vjen Kryetallësi dhe deklaron: “Presidenti nuk është në këtë sallë”!
“Çfarë?! Po pse nuk na e the përpara votimit” -shprehin keqardhjen votuesit deputetë… Me vështrim sigurisht, jo me fjalë…Kryetallësi sheh habinë e deputetëve dhe kënaqet. Deputetët gjithsesi e duartrokasin për talljen.
Në darkë emisonet televizive vijojnë maskaradën. Në studio, për këtë moment madhështor, ka mbërritur vetë Batoni. Ai kërkon emra jo broçkulla. I kërkon me ngulm një gruaje të shprehet me emra për Presidentin e ardhshëm. Gati sa nuk e poshtëroi të shkretën për mungesën e kurajos. Do t’i japë rëndësi boshit. Pak më vonë, Batoni lëshon edhe vetë të preferuarit e tij. Zgjedhje e parë është Linda Rama!
Në fakt kjo do ishte një zgjidhje e shkëlqyer. Do të ishte shmangie e çdo shakaje madhështie presidenciale. Linda do të ishte aty pikërisht për ta bërë atë post adekuat me njeriun. Për ti dhënë fund maskaradës hipokrite mbi këshillimin popullor.
Gruaja e Kryeministrit apo Burri i Presidentes? Kjo do të ishte tema themelore e mandatit të ri pas emërimit. Madje duhet shkuar më tej, çdo Kryeministr/e/ër duhet të ketë gruan President/e! Një ndryshim kushtetues dhe ja u bë. Fundja statusi i Presidentit pak ka ndryshim me Zonjën/Zotërinë e Parë.