Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka folur ditën e sotme në debatin e Parlamentit Europian mbi draftin e raporteve për Kosovën dhe Serbinë.
Fjalimin e tij, ai e filloi me kritikën që ia bën shpesh vendeve anëtare të BE-së për mosmbajtjen e premtimit për liberalizim të vizave për kosovarët, derisa më pas e ashpërsoi kritikën për pesëshen e BE-së që vazhdon të këmbëngulë në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Është një kohë kritike kur jemi duke diskutuar raportin e ri të Parlamentit Europian për Kosovën. Fakti që qytetarët e Kosovës ende nuk lejohen të hyjnë në BE pa viza është absurd. Nëse ky lëshim i madh i BE-së nuk do të ishte aq tragjik, kjo do të ishte thjesht qesharake. Kriteret ishin vërtet të tepërta, por janë përmbushur prej kohësh. Komisioni Europian e ka konfirmuar këtë. Parlamenti Europian ka folur vazhdimisht në mënyrë të qartë në favor të udhëtimit pa viza. Një pakicë e qeverive të shteteve anëtare po e ngadalësojnë dhe bllokojnë procesin”.
Nga ana tjetër, Eurodeputeti austriak është shprehur se vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, tani është koha për të bërë hapin e duhur.
“Për pakicën e vogël të vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, tani është koha për të zënë hapin. Është e pabesueshme të flitet për unitetin e botës së lirë kundër autoritarizmit dhe dhunës nga njëra anë dhe nga ana tjetër të mos e njohësh Republikën e Kosovës. Me raportin aktual të Kosovës, Parlamenti Europian më shumë se kurrë duhet të vendosë për tejkalim të urrejtjes dhe dhunës, të ecjes drejt të bazuar në fakte, racionalitetit, mirëkuptimit, paqes dhe lirisë”.
Më tej, Mandl në fjalimin e tij është shprehur se në vend të pajtimit, plagëve të Kosovës po i hidhet kripë pa ndalim.
“Agresioni i Kremlinit kundër popullit në Ukrainë, i shoqëruar me krime lufte, zgjon kujtimet e popullit në Kosovë dhe e ushqen frikë”.
Eurodeputeti ka thënë se pikërisht në këtë kohë, shteti serb po refuzon të mbrojë qytetërimin e botës së lirë kundër luftës së përgjakshme të Rusisë dhe për më tepër po tregon mirëkuptim edhe më shumë.
“Si në zyrat e qeverisë ashtu edhe në rrugë kjo është e papranueshme, veçanërisht jo duke pasur parasysh faktin se BE-ja deri tani është donatori më i madh i Serbisë dhe madje i jep Serbisë edhe statusin e kandidatit, përndryshe prej Kosovës dhe Bosnjës”.
Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor, ka shtuar Mandl, mundet që me punë të përkushtuar të bëhet diçka si Silicon Valley i Europës.
“Popullsia më e re e Europës jeton atje, nuk ka pothuajse asnjë industri tradicionale, por ka shumë vullnet”.