Një 30- vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Tiranë.
Bëhet fjalë për personin e identifikuar me iniciale D. Sh., i cili nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, ka tentuar të largohet dhe ka shkaktuar një aksident të rëndë.
Arrestimi i tij është bërë në bulevardin “Gjergj Fishta”, pasi nuk rregullonte shpejtësinë në zonat e banuara dhe përdorte aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit.
Duke vlerësuar riskun që ky person paraqiste duke drejtuar mjetin në mënyrë jo të rregullt, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur dhe ka vazhduar lëvizjen.
Menjëherë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit, drejtuesi i të cilit, gjatë tentativës për t’u larguar, ka aksidentuar personin e identifikuar me iniciale D. B., 61 vjeç, në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, dhe më pas, në rrugën “Sulejman Delvina”, ka përplasur një mjet tip taksi dhe është larguar.
Në afërsi të ish-sheshit “Shqiponja”, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur ndalimin e automjetit, drejtuesi i të cilit, pas testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur.
I riu do të japë llogari për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundështimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.