Një sherr i nisur në rrjetet sociale midis dy të rinjve përfundoi në pengmarrje. Policia bëri me dije se ka arrestuar një 22-vjeçar, pasi akuzohet për tri vepra të ndryshme penale: “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Vjedhja me dhunë”.
Arrestimi i 22-vjeçarit Drilon Hoxha erdhi pas denoncimit që kishte bërë në komisariat 20-vjeçari me iniciale B.A.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, më marrjen e njoftimit se një 20-vjeçar ishte marrë me forcë, në automjet, nga një person ende i paidentifikuar, organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e këtij personi. Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Krasta’ u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit D. H., 22 vjeç, banues në Fushë-Krujë”.
Nga ana tjetër, mësohet se Drilon Hoxha e kishte marrë në automjetin e tij tip “Audi”, 20-vjeçarin me inicialet B. A., banues në Fushë-Krujë, duke e çuar në një vend të pyllëzuar në Krastë, të cilin, më pas e ka goditur me sende të forta në pjesë të ndryshme të trupit. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në momentin e arrestimit të 22-vjeçarit, në automjetin tip “Audi”, që drejtohej nga ai, u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, telefoni, që i përkiste shtetasit B. A.
Gjatë marrjes në pyetje dy të rinjtë kanë deklaruar se konflikti kishte nisur disa ditë më parë në rrjetet sociale ku ata kishin debatuar ashpër mes tyre. Por 22-vjeçari nuk e ka mbyllur me kaq, pasi dje teksa e ka hasur 20-vjeçarin e ka marrë atë forcërisht duke e futur në makinë dhe duke e dërguar me një zonë të largët për ta dhunuar më pas.
“Isha duke u kthyer për në shtëpi kur një makinë tip “Audi” më ndaloi te këmbët. Konstatova që brenda makinës ndodhej Driloni me të cilin kishim një konflikt. Doli nga makina dhe më futi me forcë brenda saj. Duke më kërcënuar se do më vriste më dërgoi në një zonë të largët të quajtur Krastë. Aty me goditi disa herë më një mjet të fortë, më mori celularin dhe më tha zhduku se po të pashë më vërdallë do të zhduk nga faqja e dheut unë. U tremba dhe iu drejtova policisë për të bërë denoncim”.