Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Me anë të një postimi në rrjetin e tij social Twitter, Lajçak ka sqaruar se qëllimi i takimit me liderin serb, ka qenë bisedimi për një takim të radhës në Bruksel të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut me Prishtinën.
“Sot në Beograd pata një diskutim me presidentin Aleksandar Vuçiç, për çështjet aktualisht në agjendë dhe për rrugën para në dialog, përfshirë takimin e radhës të nivelit më të lartë”.
Kujtojmë se, sot dhe nesër në Bruksel po vijojnë takimet mes delegacioneve të Kosovës e Serbisë, në lidhje me reciprocitetin e targave dhe çështjen e të pagjeturve të luftës.
Nga dita e nesërme pritet një takim i kryenegociatorëve të Kosovës Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç.