Duke nisur që prej ditës së sotme, shoferëve të automjeteve në rrugë, veç testit të alkoolit gjatë kontrolleve të policisë, do u kërkohet të kryhet edhe testi i përdorimit të drogës.
Sipas policisë bëhet me dije se matjet e këtij testimi do të bëhen me anë të aparatit drogëtestues i cili quhet “AquilaScan”.
Gjithashtu, sot policia ka kapur edhe rastin e parë të drejtimit të makinës nën efektin e drogës. Forcat policore kanë sqaruar se gjatë kontrolleve policore në rrugë është ndaluar drejtuesi i makinës 25-vjeçari me iniciale J. Ç., të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Së fundmi, nisur nga ky fakt, shërbimet e Policisë Rrugore i kanë bërë testin e drogës, me aparatin “AquilaScan”. Pas testit, rezultoi se 25-vjeçari drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.