Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me strukturat e sigurisë së vendit pas sulmeve me armë ndaj Policisë së Kosovës të cilat ndodhën në veri të vendit.
Në mbledhjen e zhvilluar, Osmani ka diskutuar për sigurinë në vend dhe për atë që duhet të ndërmerret.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kanë njoftuar për katër sulme ndaj policisë për tri ditë rresht. Kundër policisë është shtënë me armë zjarri AK-47, granata dore dhe metoda të tjera për të penguar atë në kryerjen e detyrës. Në njërin prej sulmeve, Mehmeti ka thënë se dyshohet që të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë.
Për këtë Presidenca ka thënë se këto sulme erdhën nga “Serbia dhe strukturat e saj kriminale”. Në po të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka shkruar se “burimet tona e kanë identifikuar sulmin e djeshëm të ketë ardhur nga territori i Serbisë”. Për më tepër, ai i ka bërë thirrje Serbisë që të distancohet “nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve policë të sulmuar ishin serbë të Kosovës”.
Sulmin e kanë dënuar edhe Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe Ambasada e SHBA-së. Ndërkaq, KFOR-i ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë Policinë e Kosovës.