“Populli më i guximshëm i vendit më të mirë në botë”. Kjo është shprehja që Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i ka quajtur ukrainasit përmes një mesazhi që ka përcjellë të dielën vonë.
“Ne po i afrohemi fundit të një jave tjetër“, tha Zelensky në fjalimin e tij, të cilin e ka mbajtur rregullisht gjatë sulmit të Rusisë ndaj vendit. “Lufta jonë për liri, për shtetin. Një javë tjetër që Ukraina mbeti gjallë, me gjithë përpjekjet e Rusisë për të na shkatërruar. Ne po luftojmë. Ne po mbrohemi. Ne po zmbrapsim sulmet”.
Gjithashtu, Zelensky është shprehur se vendi i tij po bën gjithçka që mundet për të fituar luftën dhe akuzoi udhëheqjen ruse se po përpiqet për të hequr fajin.
“Kur frika rritet, gjithçka kthehet në katastrofë. Kur njerëzit nuk kanë guxim të njohin gabimet e tyre dhe të kërkojnë falje, të përshtaten me realitetin dhe të shohin se po kthehen në përbindësha”.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas tha se Rusia ka humbur kontaktin me realitetin, duke vepruar si agresore, por duke fajësuar Ukrainën për veprimet e kryera nga trupat ruse, duke përfshirë vrasjet në Bucha, sulmin me raketa në stacionin e trenit në Kramatorsk dhe çdo qytet të shkatërruar dhe fshat të djegur.
“Ata kanë shkatërruar jetët e miliona njerëzve. Ata filluan një luftë në shkallë të gjerë dhe sillen sikur ne jemi fajtorë për këtë.”
Ai shtoi se Rusia, nga frika e humbjes, do të nisë më shumë veprime luftarake në shkallë të plotë në lindje të Ukrainës. “Por ne jemi gati”, tha presidenti, duke premtuar se Ukraina do të sigurojë që të ketë armë të mjaftueshme dhe do të kërkojë sanksione më të forta kundër Rusisë në mënyrë që drejtësia të vihet në vend.
Së fundmi, por jo nga rëndësia Zelensky nderoi 18 mbrojtësit e Ukrainës duke përfshirë anëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Shërbimin Special të Komunikimit dhe oficerët e policisë për heroizmin e tyre. Ai falënderoi edhe gazetarët që ndajnë të vërtetën e asaj që po ndodh në vend.