Ditën e sotme kryetari i Partisë Social Demokratike të Serbisë, Rasim Ljajiç ka pësuar një aksident të rëndë automobilistik. Mësohet se nga aksidenti Ljajiç ka marrë disa dëmtime të rënda për shëndetin.
Gjithashtu, pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndë ka qenë edhe bashkëpunëtori i tij Branko Gogiç, i cili ndodhej në makinë me të dhe nuk u ka mbijetuar dot dëmtimeve të marra duke e çuar në vdekje të menjëhershme.
Sipas mediave vendase, gjithashtu bëhet me dije se aksidenti ka ndodhur afër vendit të quajtur Razanj në Serbi, ku Gogiç që ishte në timonin e makinës tip “Skoda” ka vdekur në vendngjarje.
Nga ana tjetër, mësohet se Ljajiç është transportuar menjëherë për në Spitalin e Nishit, ku tashmë është nën kujdesin e mjekëve dhe po merr trajtim mjekësor.
Së fundmi, mediat serbe raportojnë se ai ka marrë lëndime serioze në gjoks, por gjendja e tij tani është më e qëndrueshme, ndërsa është i vetëdijshëm dhe nuk ka rrezik për jetën.