Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi duke folur para punimeve te Kongresit te PS, ne panelin per sigurine e rajonit dhe Evropës, ka shpalosur edhe prioritetet e qeverise ne kete aspekt. Peleshi lajmëroi se Shqipëria do të hyjë në proces të shpejtë të ngritjes së forcës rezerviste. Sipas tij, ruajtja e pacenueshmërisë e infrastrukturës kritike kombëtare është element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare.
“Procesi i rekrutimit, ristrukturimi i Akademisë së FA, me mbështetjen e SHBA. Do rriten cilësisht kapacitetet njerëzore në shërbim të sigurisë. Rëndësi e veçante do i kushtohet edhe mbrojtjes kibernetike në FA si pjesë e arkitekturës kombëtare të sigurisë kibernetike. Ruajtja e pacenueshmërisë e infrastrukturës kritike kombëtare është element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare” – theksoi ministri.
Peleshi gjithashtu foli edhe për pushtimin rus ne Ukrainë, ku tha se Shqipëria dhe Rajoni i Ballkanit Perëndimor janë në një nyje kritike të historisë. Teksa vuri theksin tek integrimi i përshpejtuar në BE i këtyre vendeve të rajonit, Peleshi tha se është e nevojshme edhe njohja e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të unionit dhe të NATO-së.
“Prishja e rendit të sigurisë vjen me disavantazhe e kërcënime por dhe me mundësi. Vjen me nevojën e kuptimit nga BE të domosdoshmërisë që ka integrimi i vende të Ballkanit Perëndimor me procedurë të përshpejtuar, nevojën për njohjen e menjëhershme të Kosovës nga të gjitha vendet e BE dhe NATO që do i hapte rrugë jetësimit të politikës së dyerve të hapura e integrimit të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. Përfundimi i këtij projekti integrues është garanci e vetme për paqe stabilitet e prosperitet ekonomik në rajonin tonë” – tha Peleshi.