Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, bashkë me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell, sot udhëtuan drejt Ukrainës për t’u takuar me liderët e vendit. Dy udhëheqësit europianë bashkë me kryeministrin e Sllovakisë, Eduard Heger, shkuan edhe në vendin ku u raportua se u krye masakër, në Bucha. Te vendi i ngjarjes i shoqëroi kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, i cili tha se atyre iu tregoi mizoritë që kryen rusët.
“Vizituam Buchan. Ursula von der Leyen, Josep Borrellit dhe Eduard Hegerit iu tregova për mizoritë që kryen trupat ushtarake ruse mbi civilët ukrainas. Ne kurrë s’do t’ia falim armikut këto krime. Ne po punojmë bashkë me partnerët tonë europian që të ndalim agresorin sa më shpejt që është e mundur” -ka shkruar Shmyhal.
Në Bucha rusët kryen një masakër të vërtetë, ndërsa trupa të pajetë të shtrirë në rrugë tronditën botën. Rusia mohon vrasjen e civilëve dhe ka akuzuar Ukrainën për organizimin e vdekjeve për të diskredituar trupat e saj. Megjithatë, ka prova të forta dhe në rritje se krimet e luftës janë kryer nga Rusia./REL