Rrjeti i ri i ujësjellësit në Njësinë Administrative Nr. 4 do t’u japë fund problemeve të mbartura në vite me ujin e pijshëm për rreth 12 mijë banorë në periferi të Tiranës.
Nisjen e punimeve për rrjetin e ri e inspektoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili premtoi se investimi përfundon në muajin shtator.
Erion Veliaj: “Lajmi i mirë është që kur ata shkojnë me pushime, bashkia punon që kur ata të kthehen nga pushimet, ky investim të ketë mbaruar. Dhe jo vetëm 12 familje do të kenë ujë me periudha të gjata kohore por do kenë edhe ujë më cilësor”.
Veliaj iu drejtoi edhe një apel banorëve që të të bëjnë më shumë kujdes në përdorimin e ujit.
Veliaj: “I ftoj qytetarët që ta kursejmë ujin e pijshëm, është një mall që kushton dhe është e papranueshme që në pikun e verës, vazhdojmë të përdorim ujë të pijshëm në lavazhe për të larë makina, për të ujitur e vaditur. Ndaj jemi treguar jashtëzakonisht të rreptë dhe do të vazhdojmë të jemi të rreptë më këdo që shpërdoron ujin”.
Punimet për linjën e re të ujësjellësit në këtë zonë do të kryhen në dy lote, ku loti i parë përfshin zonën midis rrugëve “Gaqo Vakeli”, “Abaz Dojaka”, “Shefqet Kuka” dhe “Andon Kuqali”. Rrjeti i ri është një investim I bashkisë së Tiranës dhe UKT-së.