Ku u fokusua për këtë dokument të rëndësishëm komisioni i përbërë nga Fejzi Alizoti, Dhimitër Berati, Xhemil Dino, Tahir Shtylla e Mustafa Kruja…
Në maj të 1941, një komision ishte ngritur në Tiranë, për të hartuar një dokument të rëndësishëm që do të dërgohej në Romë, ku do të parashtrohehsin të gjithë argumentet mbi projektin e Shqipërisë etnike. Dokumenti është ndërtuar mbi disa anekse dhe mban titullin “Përkujtesë, përshpagimet shqiptare”.
Komisioni hartues i këtyre dokumentave përbëhet nga Fejzi Alizoti, Dhimitër Berati, Xhemil Dino e Tahir Shtylla e kryesohet nga Mustafa Kruja, atëherë senator i Mbretërisë e Kryetar i Institutit të Studimeve shqiptare…
Misioni i tyre, që për çastin nuk kishin funksione shtetërore, ishte të hartonin një parashtrim të zgjeruar të çështjes kombëtare shqiptare. Por misioni nuk rëndonte vetëm përmbi ta. Nga dokumentat e Arkivit rezulton se në shërbim të këtij projekti ishin mobilizuar atdhetarë të aftë e të vetëdijshëm për detyrën që merrnin përsipër në dobi të çështjes. Kështu hasim në proçes – verbalet emrat e Ernest Koliqit, Qazim Koculit, Jashar Erebarës, Rexhep Mitrovicës, Hasan Dostit, Ekrem Vlorës, Ismet Kryeziut, Fuat Dibrës, Tafil Buletinit, Avni Gjilanit, Ramiz Dibrës, Ahmet Gashit, Qerim Begollit, Vasil Andonit, Hamit Kokalarit etj. I përkisnin të gjitha rrymave të mendimit politik të asaj periudhe, por i bashkonte madhështia dhe rëndësia e problemit kombëtar.
Fejzi Alizoti
Origjinali i këtij dokumenti në gjuhën italiane, gjendet në AQSH, në fondin e Mustafa Krujës dhe është publikuar për herë të parë në vitin 2012 me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë në librin e botuar nga OMSCA-1 “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”, me autor Eugjen Merlikën.
Dokumentet mbajnë datën 3 maj 1941. Jakomoni, Mëkëmbësi i Mbretit, kërkonte nga Qeveria shqiptare një paraqitje të hollësishme të problemit të kufijve shqiptarë e të territoreve që, për arsye të ndryshme, duhej të ishin pjesë e Shtetit shqiptar në kuadrin e Perandorisë së Romës. Pas kësaj qeveria e Vërlacit kishte ngritur një Komision, në nivel të lartë politik e studjuesish, për të pregatitur këtë material, që do t’i përcillej Ministrisë së Jashtëme e do të përbënte bazën politike të kërkesave shqiptare.
Kjo parashtresë duhej t’ishte bindëse dhe e argumentuar në të gjitha pikëpamjet, e bazuar mbi një realitet të gjallë etniko – historik, e aftë për të përballuar çdo lloj kundërshtimi të mundshëm në nivel shkencor e diplomatik në një rrahje mendimesh me fqinjët nga pozita të barabarta argumentash. “Autorët e dinin se, për t’i qëndruar kohës e ndryshimeve që pësonte bota, parashtresa nuk duhej të përshkohej nga fryma shoviniste që mund të shfaqej si kundërveprim i të këqijave të pësuara nga shqiptarët në tridhjetë vitet e shkuara, por të mbështetej mbi kërkesa të ligjëshme nga këndvështrimi historik e të drejta nga ai juridik.
Lënda ishte tepër e brishtë. Por nuk mjaftonte vetëm përcaktimi i kufijve me Malin e Zi, Jugosllavinë e Greqinë, që nuk do të kishte vështirësi të pakapërcyeshme si proçes, pasi parametrat etniko-historikë ishin të prekshme e të vërtetueshme, duke pasë kaluar më pak se tridhjetë vjet nga shpërbërja e Shqipërisë otomane të katër vilajeteve. Drejtësia donte që shqiptarët të kishin edhe dëmshpërblimet për të gjitha dëmet e pësuara në këta vite jete të përdhunëshme, nën mbarështimin armiqësor të qeverive fqinje”- shkruan autori i librit “Mustafa Kruja në historinë shqiptare” Eugjen Merlika.
Nga ky dokument mjaft i rëndësishëm, dhe voluminoz ne kemi përzgjedhur për të botuar këto ditë disa pjesë të tij që lidhen kryesisht me çëshjet që lidhen me Greqinë dhe Çamërinë si dhe një shkresë të Rauf Ficos dërguar në kryeministri, ku flitet mbi diskutimet dhe punën e komisionit për Rivendikimet në ish Vilajetin e Janinës.
Dokumenti 1
Fico: Rivendikimet në ish Vilajetin e Janinës
Shkresë dërguar kryeministrisë nga Rauf Fico mbi diskutimet e komisionit për rivendikimet në ish Vilajetin e Janinës…
Sot më 26 prill 1941 u mblodh nën Komisioni për rivendikimet në ish Vilajetin e Janinës, nën kryesín e Shkëlqesës Xhemil Dino, me antarë Z.Z. Fejzi Alizoti, Ekrem Vlora, Qazim Koculi, Hasan Dosti, Aziz Çami, Ahmet Demi, Hajro Plaku, Ahmet Gashi.
Mbas një bisedimi të shkurtër u vendos sa më poshtë :
I – Të kerkohet nga Qeveria Mbretnore t’intervenojë ku duhet për lirimin e :
1) Çamëvet të marrun robë si ushtarë grekë.
2) Çamët e mobilizuar në Greqi.
3) Çamëvet t’internuar nga Grekët në ishujt grekë e gjetkë.
4) Çamëvet të burgosur në Greqi si të burgosur ordinarë.
II – Të kërkohet nga Qeveria Mbretnore që të marrë masat e duhura për kthimin e refugjatëvet çamë të larguar nga zonat e operacionit me rastin e hostilitetevet me Greqín, dhe t’u sigurohen këtyre refugjatëvet :
a) shpenzimet e udhëtimit dhe një shpërblim për tre muaj.
Mandej u muar në bisedim çështja e rivendikimevet shqiptarë në ish Vilajetin e Janinës.
Zoti Kryetar propozoi të mirret për bazë kriteri i kufivet natyralë dhe arsyet historike, duke e zgjatur kufirin gjer në Prevezë dhe duke marrë si kufi lumin e Artës. Ky kufi do të përfshinte brënda dhe Janinën e Pindin.
Zoti Qazim Koculi thotë se Çamëria pa Prevezën nuk mund të jetojë për arsye ekonomike.
Z. Ahmet Gashi përkrah tezën e Z. Kryetar.
Kjo tezë kundërshtohet prej Z.Z. Ekrem Vlora dhe Hasan Dosti për shkak të gjëndjes etnografike të tashme, e cila do t’i vinte shqiptarët në minoritet, mbasi popullsít aktuale të krahinavet të Prevezës, Janinës e Pindit janë në shumicë ekrazante.
Zoti Kryetar insiston mbi argumentat e tij.
Kam nderin t’i parashtroj asaj së Shkëlqyeshme Kryesi se midis aktevet të marruna nga ish Zyra sekretee ish Minis. P. Jashtme u gjend edhe një hartë që tregon kufít e një zone të posaçme midis kufivet të Shqipnís dhe të Jugosllavís që do të formonte nji provincë autonome dhe që do t’ishte një zonë tampone midis të dy shteteve, mbasi forma e propozueme prej Shtetit jugosllav tregon bindjen e Qeverís së sipërthanun për pamundësín e vazhdimit të gjendjes së sotme të Kosovës.
Do t’ishte shumë e përfitueshme që të mirret parasysh në kohën e bisedimevet eventuale midis dy shteteve. Bisedimet rreth çeshtjes kanë rjedhur në vitin 1936 midis Zotit Ekrem Vlora, atëherë sekretar i përgjithshëm i ish Ministrís P. Të Jashtëme dhe zotit Gjonoviç, Ministër i Jugosllavís në Tiranë dhe Zotit Listiç, Sekretar i Legatës jugosllave në Tiranë.
Për shpjegime më të gjëra, mund të pyetet Zoti Ekrem Vlora
Rauf Fico
Dokumenti 2
SHTOJCA N°4
SEKTORI JUGOR
(Qarqet e Follorinës, Kosturit e Grebenesë, krahina e Pindit dhe Epiri)
Sektori Jugor, mbi të cilin Shqipëria çon përpara kërkesat e saj, është i përbërë nga qarqet e Follorinës, Kosturit e Grebenesë, nga rrafshnalta e Pindit dhe nga Epiri që përfshin, veç Çamërisë, rrethet e Janinës e të Prevezës.
Në administrimin otoman territoret e këtij sektori bënin pjesë në dy Vilajetet e Monastirit dhe të Janinës që, së bashku me ata të Shkodrës e të Kosovës u kërkuan nga populli shqiptar për të formuar Shqipërinë autonome që nga viti 1878.
Nga pikpamja etnike, në përgjithësi popullsia e këtij sektori është shqiptare kompakte në Çamëri, arumune kompakte në Pind dhe e përzier gjetiu me Shqiptarë, Vlleh e Grekë, o të greqizuar e grekomanë, të zmadhuar në numur vetëm gjatë tiranisë otomane, fanariote dhe helenike.
I – Krahinat etnike që përligjin kërkesat tona mbi qarqet e Follorinës, Kosturit e Grebenesë, edhe se nuk janë të bazuara mbi praninë e sotme të një bërthame të fortë shqiptare n’ato treva, gjejnë arsyen e të qenit në disa fakte tragjike, kujtimi i të cilëve është ende dhimsurisht i gjallë në zemrat e popullit shqiptar. Popullsia Shqiptare, e vendosur atje që në origjinë, mbas bashkëngjitjes Greqisë, si pasojë e luftrave ballkanike, qe viktima e parë e fanatizmit panhelenik. Me sebepin e besimit të saj mysliman kjo popullsi shqiptare u quajt turke dhe, si e tillë, u detyrua t’i nënështrohet shkëmbimit me popullsinë greke të Anadollit, mbas thyerjes së Greqisë nga Turqia më 1922. Nuk vlejtën lutjet e asaj popullsie të pafat të bënin Qeverinë Greke të hiqte dorë nga zbatimi i programit të saj çnjerëzor të përzënies me çdo kusht të elementit shqiptar nga ata qarqe. Kështu 36.000 Shqiptarë u detyruan të braktisin ata vënde dhe të pafundme qenë vuajtjet e tyre, të pësuara si pasojë e kushteve shumë të vështira të shpërnguljes së papritur nga toka e tyre. Shumë vdiqën, të gjithë humbën pronat e tyre dhe ata që, mbas shumë peripecish tepër dramatike, arritën të ngulen në Turqi, ruajnë në zemrat e tyre dashurinë për Atdheun e largët në të cilin do të ktheheshin me shumë dëshirë e kënaqësi.
II – Krahina e Pindit është e banuar nga popullsi vllahe kompakte, por ajo kërkohet nga Shqipëria jo vetëm sepse kjo është dëshira e asaj popullsie, si provë shërben përkujtesa e paraqitur nga Dërgata Vllahe në Konferencën e Paqes (1919), në të cilën shprehet përgjërimi për bashkimin e Pindit me Shtetin Shqiptar, por edhe për arsye ekonomike e, veçanërisht strategjike, mbasi vargmali i Pindit do të përbënte një kufi natyror dhe do të ishte mburoja e Perandorisë së Romës kundër një rizgjimi të mundshëm të arrogancës greke.
III – EPIRI – Gjatë gjashtë muajve toka e Epirit qe teatër i një luftë barbare. Në këtë luftë, që mund të quhet një episod i thjeshtë i ndeshjes së përbindëshme që po zhvillohet mes dy botëve, malet e pjerrta të Epirit kanë qënë të pranishme në shembuj të ndritur vlerash ushtarake, kanë parë heroizma që, sigurisht, do të mbeten nga më të kujtuarat në këtë luftë të sotme. Toka shkëmbore e Epirit, vëndi i panjohur ku të lashtit kishin vendosur portat e ferrit e nuk guxonin t’i kalonin, ajo i ka dhënë mëndjemadhësisë greke një mësim t’ashpër, por të merituar.
Tahir Shtylla
Epiri : Ka njerëz që nën këtë emër, pa të keq kuptojnë një krahinë pa diskutim greke. Ne admirojmë propagandën greke që ka arritur të shtyjë në një gabim kaqë të rëndë aqë njerëz të mirë nëpër botë dhe ndjejmë mëshirë për ata që kanë rënë viktima. Por nga ana tjetër, kemi të drejtë dhe detyrë të shpallim me zë të lartë dhe me këmbëngulje atë që është thjesht e vërteta historike. Duhet të themi se Epiri nuk ka qënë kurrë grek, veçse në fantazinë e ndezur greke e filogreke dhe nuk ka grek asgjë, veç emrit dhe një pjese të popullsisë, të futur e të zënë vënd gjatë pushtimit turk dhe mbas bashkimit me Greqinë më 1913. Të gjithë kompetentët e dinë që Grekët e vjetër, në të vërtetë pishtarë të qytetërimit e të shkëlqimit artistik e kulturor, nuk kanë denjuar kurrë t’i quajnë helenë epirotët por “barbarë”, pra të huaj, ashtu si Thrakët, Ilirët e Maqedonët. Na e thonë të gjithë shkrimtarët grekë e latinë dhe e vërtetojnë gjithë shkencëtarët bashkëkohorë të historisë, etnologjisë e glotologjisë, me përjashtim të ndonjerit që ka patur më shumë simpati për popullin grek se sa për shkencën e të vërtetën.
Megjithatë, në çështjen e Epirit, ndërsa propaganda panhelenike përpiqej të gënjente opinionin publik ndërkombëtar mbi karakterin grek t’asaj krahine, Qeveria e Athinës e shoqëronte këtë fushatë propagandistike me të gjitha mjetet që zotëronte, për t’arritur n’atë ndryshim të nevojshëm të fizionomisë s’Epirit që do të mund t’a bënte Vëndin të përshtatëshëm për atë që propaganda vazhdonte të trumbetonte. Të gjitha mjetet ishin të mira.Veprimi i Qeverisë synonte kryesisht në projektin e shkombëtarizimit të popullsive ortodokse shqiptare e vllehe të Epirit. Për këtë qëllim u përdorën paturpësisht dy armë të mrekullueshme, të kishës dhe arsimimit, që ishin të vetmit institucione fetare e kulturore të pranuara në dobi të popullsisë ortodokse t’Epirit nga ana e Qeverisë otomane.
Vepra ogurzezë e priftit – agjent ishte të shpallte karakterin grek të kishës, t’i nënështronte mësimet e Ungjillit nevojave të propagandës politike, t’i mohonte shërbimet fetare të pabindurve e, së fundi, të hidhte mallkimin kundër “separatistëve”. Në të njëjtën kohë veprimi errësues i mësuesit të shkollës qëndronte në mësimin e të gjitha gjepurave të panhelenizmit mbi karakterin universal të gjuhës greke, mbi fuqinë e perandorisë s’ardhëshme helenike, mbi origjinën e përbashkët greke të popujve ballkanikë e shumë marrëzive të tjera, t’endura me shmangie mitologjike e me tregime qesharake. Kjo punë e dyfishtë dhe mashtruese, e vazhduar me zell për vite të gjata mbi shpirtin e thjeshtë dhe besimtar të popullsisë epirote, nuk mungoi t’i sillte dobi qëllimit të paracaktuar t’Athinës, atij të greqizimit të elementëve shqiptarë e vllehë.
E atëherë, kur mjetet e sipërpërmendura nuk dukeshin mjaft bindëse dhe t’efektëshme, atëherë përdorej një mjet i tretë, më i shpejtë e më rrënjësor : komitët. Veprimtaria kriminale e bandave zhvillohet gjithandej n’Epir. Shkatërrimi dhe djegia e banesave dhe fshatrave, vrasja e krerëve dhe mbështetësve të atdhetarizmit Shqiptar, masakrimi i grupeve të pambrojtura të njerëzve të quajtur kundërshtarë të helenizmit ; e tillë është vepra, që bandat e komitëve, kanë kryer me urdhër t’Athinës dhe me mbështetjen e klerit fanariot, për të shkombëtarizuar Shqiptarët ortodoksë t’Epirit e për të detyruar, nga ana tjetër, elementin mysliman të mërgojë.
Fama e kësaj toke t’Epirit, e lagur nga Akeronti dhe Koçiti, ku gjendej tempulli i famshëm i Dodonës, ngjarjet e Mesjetës që udhëzuan princërit bizantinë të kërkonin strehë n’Epir, ku ata mbretëruan për një farë kohe e ku morën fuqi të reja për kryengritjen kundër pushtimeve barbare e së fundi fakti që, në luftën për fitoren e pavarësisë së Greqisë, tek Shqiptarët suliotë të Epirit krerët e kryengritjes së saj, – ja argumentat që shpesh janë marrë si bazë për të përligjur opinionin që e do Epirin tokë greke.
Megjithatë për një vëzhgues të kujdesshëm arsyet e sipërpërmendura nuk kanë asnjë vlerë, mbasi vetë Grekët në lashtësi, siç kemi parë, njëzëri i kanë quajtur epirotët si “barbarë”, pra jo Grekë por të huaj. Kërkimet më të fundit mbi historinë bizantine kanë vërtetuar se formacionet politike t’Epirit, principata ose despotate, me përjashtim të etiketave nuk paraqesin asnjë karakteristikë tjetër greke. Po ashtu mund të pohohet, pa frikë gabimi, se herojtë e pavarësisë greke, suliotët, ishin thjesht shqiptarë ortodoksë, që mezi e kuptonin gjuhën greke.
Sidoqoftë propaganda greke ka bërë aq shumë dhe është vërtitur aq mirë sa opinioni i rremë mbi karakterin grek të Epirit arriti të përhapet, në sajë të pohimeve të vazhdueshme të politikanëve grekë që nuk njihnin historinë, të historianëve që deshën të vihen në shërbim të politikës e së fundi, në sajë të atyre që, të dehur me klasiçizëm, me qëllim kanë ngatërruar fantazitë mitologjike me realitete historike të vërtetuara.
Janë pikërisht faktet e vërteta të historiografisë bashkëkohore që lejojnë sot të shihet qartë në të shkuarën e largët e të afërt të këtij Vendi e të shpallë se Epiri nuk qe kurrë grek, as nga pikpamja historike dhe as nga ajo teknike.
Politikisht Greqia, që kishte rrëmbyer më 1881 rrethin e Artës, vetëm më 1912 arriti të bashkangjisë pjesën tjetër t’Epirit, deri në kufirin me Shqipërinë. Kjo pjesë e gjallë e territorit kombëtar shqiptar i u dhurua Greqisë nga demokracitë e mëdha, që shpesh kanë flijuar fatin e popujve në të njëjtin çast, në të cilin shpalleshin mbrojtës të tyre dhe të parimit të kombësisë.
Epiri, si shumë qoshe të tjera të truallit shqiptar, është tregëtuar më shumë se një herë për të plotësuar lakmitë e Greqisë në Kongresin e Berlinit më 1878, në Konferencën e Londrës më 1913, dhe në Konferencën e Paqes së Parisit (1919). Të tre këto data kanë qënë ogurzeza për kombin shqiptar, nga trupi i të cilit xhvateshin pjesë të gjalla për t’u a dhënë shteteve fqinjë si çmim për fitoret e arritura kundër të tjerëve në luftëra, në të cilat Shqipëria nuk kishte të bënte për asgjë.
Por tashmë ora e shlyerjes së llogarive ka mbërritur. Paqja me drejtësi nënkupton rishikimin e të gjithë padrejtësive që kanë shkaktuar konfliktin e sotëm. Si pasojë, sektori ballkanik, kjo pikë nevralgjike e Evropës, duhet të gjejë në rendin e ri rregullimin e tij përfundimtar, të bazuar mbi njohjen e të drejtave të gjithë popujve që e banojnë, në përputhje me parimet e zbatuara nga rendi i ri i sotëm.
Me besim të plotë në të drejtën e saj për të fituar atë që i takon, Shqipëria, e ndërgjegjëshme se është pjesë e gjallë në kuadrin e Perandorisë së Romës, nuk dëshiron tjetër veçse të rimarrë atë që, padrejtësisht, i është hequr.
Për këtë qëllim paraqesim më poshtë, në pikat themelore, arsyet për të cilat Epiri duhet të quhet pjesë e pandarë e Shqipërisë.
1 – Epiri, që shtrihet nga kufiri i sajuar i Shqipërisë tek Gjiri i Artës, nga pikpamja gjeofizike është një rrip toke që lidhet natyrshëm me Shqipërinë, duke formuar së bashku me të një tërësi të njëtrajtëshme orografike dhe ujore. Shqipëria dhe Epiri plotësohen ndërmjet tyre edhe përsa i përket natyrës së njëjtë të terrenit dhe prodhimit ekonomik.
2 – Etnikisht Epiri i përket Shqipërisë e jo Greqisë për motivet që pasojnë :
a) Nga dëshmi të njëzëshme të autorëve grekë del në shesh se, në lashtësi, Epiri ishte i populluar nga gjindje ilirike e, në çdo rasë, jo greke. Në Mesjetë, si në kohët moderne nën sundimin otoman, popullsia ilire, epirote e shqiptare mbizotëron e pakundërshtuar në Epir, duke përbërë elementin kryesor etnik.
b) Sasia m’e madhe e popullsisë ka qënë, deri në shekullin XIX, nga ana e popullit shqiptar e jo nga ana e atij grek. Kështu shpesh herë ka patur mërgime në masë të popullsive shqiptare t’Epirit drejt Greqisë, të cilët, të filluar në shekullin e XI vazhduan deri në të XVI-in. Disa nga këta mërgime patën nxitjen e vetë princërve grekë, si ata të Teodorit I Paleologu, që tërhoqi në Greqi 10.000 familje shqiptare. Vetëm mbas fitores së pavarësisë së saj, në fillim të shek. XIX, Greqia filloi, nëpërmjet kishës e shkollës një politikë aktive depërtimesh e asimilimesh në trojet fqinjë, si në Epir. Kjo u lejua, siç e kemi parë, nga qeveria otomane dhe u përkrah nga Patriarkana e Konstantinopolit.
Kështu shpjegohet prania e elementit grek n’Epir edhe para 1912-ës.
c) Etnografikisht Epiri lidhet me Shqipërinë, sepse mënyra e jetesës e shumicës së banorëve të tij, shqiptarë dhe vllehë, traditat e tyre, zakonet ashtu sikurse formimi trupor paraqesin një afërsi të madhe me popullsitë toske të Shqipërisë.
3) – Nga pikpamja historike e politike Epiri nuk qe kurrë grek, marredhëniet e tj me Greqinë nuk jana shumë të shpeshta në lashtësi. Kur fiset epirote marrin pjesë në lidhje, aleanca ose luftëra, gjthmonë quhen e konsiderohen jo grekë. Rrjeshtimet politike mesjetare të Epirit kanë të huaj, grek,sërb, bullgar, bizantin ose perëndimor vetëm prijësin ose princin ; masa e popullit puntor e luftëtar është gjithmonë elementi vëndas shqiptar. Nga gjiri i këtij elementi dalin më pas krerët që ndërtojnë më pas formacione shtetërore të rëndësishme si Shpatajt, Loshajt, Topiajt, Muzakët. Heroi kombëtar Shqiptar, Skënderbeu, mbante titullin “Mbret i epirotve”, mbasi në Mesjetë Shqiptarët përkufizoheshin me emrin Epirotë. Nën sundimin otoman të gjitha kryengritjet kundër zgjedhës turke e të gjitha ngjarjet politike t’Epirit kanë thjesht vulë shqiptare. Po sjellim dy shëmbuj : a) Shpallja e vullnetit për pavarësi të popullit shqiptar nën drejtimin e Ali Pashë Tepelenës, që pati qendrën kryesore Janinën, në tokën e Epirit ; b) Luftërat e popullit shqiptar, të bashkuar në lidhjen e Prizrenit, që arritën të shpëtonin Epirin nga bashkimi me Greqinë, e cila mundi të marrë atëherë vetëm rrethin e Artës (1881).
Humbja e këtij rrethi e, mbi të gjitha, bashkimi me Greqinë i një pjese të Vilajetit të Janinës, përfshirë Prevezën dhe Çamërinë më 1912, cilësohen si akte grabitjeje në dëm të bashkimit dhe tërësisë së Shqipërisë.
4) – Nga pikpamja kulturore Epiri i lashtësisë pëson ndikimin grek, veçanërisht atë të Korfuzit e të Korintit, më pas atë të Romës. Të dy këta ndikime ushtrohen në brigjet ose gjatë rrugëve të rëndësishme të komunikacionit, por janë sipërfaqësorë. Gjatë epokës mesjetare Epiri bie në kontakt me kulturën bizantine dhe disi edhe me atë të Perëndimit, por kjo nuk prek masën e popullit që vazhdon të ruajë veçoritë e tij të trashëguara.
Vetëm gjatë pushtimit turk popullsia ortodokse e Epirit u gjend nën pushtetin e ndikimit të Kishës e të shkollave greke. Shqiptarët dhe Vllehët n’Epir nuk mund të zgjidhnin, sepse Turqit nuk pranonin për popullsinë ortodokse të tjera institucione fetare e shkollore, jashtë atyre greke që, siç kemi parë, shërbenin si vegla të shkombëtarizimit të elementëve ortodoksë shqiptarë e vlleh.
Një veprim i tillë u arrit nëpërmjet mësimit dhe përhapjes së gjuhës greke në dëm të të folmeve kombëtare. Me Kishën dhe shkollën propaganda panhelenike arriti të përhapë, deri në një farë mase, ndjenjat helenike ndërmjet elementëve jo grekë, por bëhet fjalë për një bojatisje të hollë që nuk ka prekur fare strukturën kombëtare. E tani që, së fundi, gjithë Epiri është liruar nga ndikimi dhe zotërimi grek, popullsia e tij, duke u kthyer në bashkëpunim me vëllezërit shqiptarë, shpejt do të ringjallet nga ajo atmosferë e mjegulltë e propagandës greke, për të rimarrë me zjarr shfaqjet e reja të kombësisë së saj.
5) Sa i përket sasisë së popullsisë, simbas një llogarie mjaft të besueshme, mund të pohohet se grekët e të greqizuarit nuk janë më shumë se 100.000 në numurin e përgjithshëm që arrin në 313.000. Në shifrën e 100.000 janë përfshirë elementët jo vendas që Qeveria e Athinës bëri të derdheshin drejt Evropës mbas 1881 në rrethin e Artës e mbas 1912-ës në pjesën tjetër të vendit të pushtuar. Qëllimi i vendosjes së këtyre elementëve qe, dukshëm, ai i të dhënit një shtysë greqizimit të elementëve ortododoksë dhe përzënies, në një mënyrë a tjetër të elementëve myslimanë.
Ja një kategori e parë e Epirotëve që duhen kthyer në Greqi. Do të ishte një gabim i rrezikshëm të lejohej qëndrimi n’Epir i elementëve epirotë, grekë apo të greqizuar, të cilët me sjelljen dhe veprimtarinë e tyre, do t’i kishin shërbyer e sigurisht do t’i shërbenin në t’ardhmen, po të mbeteshin, qëllimit të helenizimit. Të tillë elementë do t’ishin, përshembull, autorët e shoqatave politike t’ashtuquajtura “silogi – epiroti”, disa prej mësuesve, priftërinjve, profesionistët, nëpunësit etj., që kanë zhvilluar veprimtari të kundërt me rendin e ri të drejtësisë, që synohet të ndërtohet për elementët kombëtarë, deri tani, të shtypur. Mbasi të jetë çliruar vendi nga këta individë, vegla të shtypjes, që për popullin përfaqësojnë faktorët e një të kaluare që duhet harruar, masa e madhe e popullsisë epirote, më së fundi e lirë dhe sigurtë, do të kuptojë vlerën e ndryshimit të kryer e mund të gjejë më lehtë rrugën e mirëqënies së saj në Shqipërinë e re.
Fejzi Alizoti, Mustafà Merlika-Kruja, Xhemil Dino, Dhimitër Berati, Tahir Shtylla
/shqiptrja .com/