Ambasadori i SHBA-së: “Gjysmë ore më parë pyeta se kush ka më shumë frikë nga kjo reformë. Krerët e krimit të organizuar, gjyqtarët e korruptuar apo politikanët kriminelë. Sot përgjigja është e qartë: Të gjithë po e luftojnë”
“Reforma në drejtësi do të miratohet, pyetja është; nëse ky Kuvend dhe udhëheqësit politikë do të mbahen mend për suksesin apo do të fajësohen për dështimin e saj“, ky është qëndrimi i prerë i ambasadorit amerikan, Donlad Lu për lojën politike me reformën në drejtësi. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës doli para mediave me këtë deklaratë duke bërë më të qartë se kurrë qëndrimin e SHBA-ve për politikën e kriminalizuar në Shqipëri.
Ka mesazhe mjaft të forta kjo deklaratë e ambasadorit Donald Lu dhe mesazhet i drejtohen të gjithëve, edhe Ramës, i cili vazhdon të shfaqet si më i vendosuri për këtë reformë. Por Lu e ka një përgjigje tashmë për të gjithë.
“E sfidoj kryeministrin dhe kreun e opozitës që të takohen ballë përballë të hënën dhe të premtojnë publikisht se nuk do të largohen nga salla e takimit derisa të arrijnë një zgjidhje. Të shohim kush është vërtetë në favor të një kompromisi. Ata ose do të mund të gjejnë një zgjidhje të mbështetur si nga qeveria dhe nga opozita, ose mund të mbyllen në atë sallë përjetë”, thotë ambasadori amerikan.
Deklarata e plotë
Mendoj se ka një gjë, për të cilën biem dakord: të gjithë jemi të acaruar dhe të lodhur me politikanët e Shqipërisë. Sot zoti Basha tha se opozita kishte vendosur mbi tavolinë një propozim të vlefshëm.
I thashë zotit Basha se propozimi i tij ishte i papranueshëm nga SHBA dhe tregon se ka thyer zotimin e tij ditën e djelë ndaj ambasadores Nuland. Gjithashtu, sot zoti Rama njoftoi se u ka dhënë fund negociatave me opozitën dhe tha se do të pranonte çdo kërkesë të opozitës që të pranohej nga BE dhe SHBA.
Unë e refuzoj edhe këtë rol. Përgjegjësia për zgjidhjen e problemeve politike të Shqipërisë qëndron mbi udhëheqësit shqiptarë.
Propozoj një zgjidhje të thjeshtë; e sfidoj kryeministrin dhe kreun e opozitës që të takohen ballë për ballë të hënën dhe të premtojnë publikisht se nuk do të largohen nga salla e takimit derisa të gjejnë një zgjidhje, një zgjidhje për çështjen e fundit të kësaj reforme dhe të shohim se kush është me të vërtetë në favor të gjetjes së një kompromisi.
Kjo do të zgjidhë problemin në njërën prej dy mënyrave. Ata ose do të gjejnë një zgjidhje që mund të mbështetet si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita ose mund të mbyllen brenda asaj salle takimi së bashku përjetë.
Gjysmë ore më parë pyeta se kush ka më shumë frikë nga kjo reformë. Krerët e krimit të organizuar, gjyqtarët e korruptuar apo politikanët kriminelë. Sot përgjigja është e qartë; të gjithë po e luftojnë. Të enjten, deputetët e Kuvendit kanë mundësi të tregojnë qëndresë për popullin e Shqipërisë që e kërkojnë këtë reformë. Ka ende kohë që zoti Basha dhe zoti Rama të gjejnë një kompromis. Nëse ata nuk munden, Kuvendi duhet ta miratojnë këtë reformë. Harku i historisë është i gjatë, por ajo anon nga drejtësia. Reforma në drejtësi do të miratohet. E vetmja pyetje është; nëse ky Kuvend dhe udhëheqësit politikë do të mbahen mend për suksesin apo do të fajësohen për dështimin e saj.