Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti i ka kërkuar Bankës Botërore që të mbështesë Shqipërinë me studime mbi sistemin e ujitjes në vend.
Gjatë një vizite në SHBA kreu i bujqësisë u prit në takim nga Drejtori Ekzekutiv për Shqipërinë, Greqinë dhe Itali në Bankën Botërore Patrizio Pagano.
Ministri Panariti, theksoi rëndësinë e mbështetjes së Bankës Botërore, nëpërmjet investimeve në konsolidimin e strukturave mbrojtëse, digave dhe përmirësimin e sistemit të vaditjes dhe kullimit.
Gjithashtu, gjatë bashkëbisedimit me drejtorin e Bankës Botërore , Ministri Panariti apeloi që Banka Botërore duhet të luajë një rol vendimtar në unifikimin e praktikave doganore përsa i përket certifikatave fito-sanitare, për të lehtësuar tregtinë, në veçanti me vendet fqinje, për të evituar bllokimet e mallrave në pikat doganore. Nga ana e tij, Drejtori Ekzekutiv i Bankës Botërore, Patrizio Pagano,
siguroi se, Banka Botërore do të vazhdojë t’i ofrojë Ministrisë së Bujqësisë, mbështetje financiare dhe asistencë teknike për zbatimin eficient të këtyre projekteve.