Kanë mbetur vetëm disa orë dhe pas 23 vjetësh Partizani kthehet sërish të luajë në Champions League. Sot në orën 20:00, në “Elbasan Arena”, përballë të kuqve do të jenë kampionët e Hungarisë, Ferencvarosh. Duhet evidentuar, që Partizani ka mbetur prapa me përgatitjet për plotësimin e skuadrës, për shkak të rrëmujës në prag dhe pas pezullimit të Skënderbeut dhe hyrja në kompeticionin më të rëndësishëm europian nuk ishte shumë e parashikuar. Ka mbetur vetëm impenjimi maksimal i atyre që përbëjnë skuadrën e tanishme, gjë që është theksuar edhe nga trajneri Sormani në konferencën e fundit për shtyp, por që frazat e mëpasshme të tij nuk është se të bëjnë shumë optimist. “Luajmë përballë një kundërshtari që është shumë më lart se ne në çdo aspekt, por të jeni të bindur që në fushë do të japim maksimumin. Duam që në fund, sido që të jetë rezultati, tifozët tanë të na duartrokasin”. Tashmë duhet pritur për të parë nëse mjafton maksimumi përballë këtij kundërshtari, ndërkohë që në dispozicion të trajnerit janë edhe dy blerjet e fundit, sulmuesit Ekuban dhe Volas. Ndërsa për teknikun gjerman të Ferencvaroshin, Tomas Doll, skuadra e tij i ka të gjitha mundësitë për t’i mbyllur llogaritë që në “Elbasan Arena”.