Nga Lutfi Dervishi
Tallja
“Asnjë lek nuk do të paguajnë qytetarët shqiptarë,”- të gjitha i paguan buxheti shtetit.
“Qytetarët nuk do të nxjerrin asnjë kokërr leku nga xhepi- gjithçka e merr përsipër qeveria. Të gjitha i mbulon buxheti. I kemi parashikuar”.
Deklaratat të tilla të ministrave të kabinetit qeveritar, nëse do të ishin bërë jashtë Shqipërisë, në rastin më të mirë do të ishin objekt humori dhe satire dhe në rastin më të keq do të ishin objekt psikiatrësh dhe drejtësie.
Nëse mendojmë se ministrat nuk janë aq gdhë sa e nxjerrin veten në publik, i bie që ata tallen keq me njerëzit që nuk interesohen për punët e shtetit dhe fyejnë inteligjencën e kujtdo që e di se ka vetëm dy rrugë për të mbushur buxhetin. 1. Taksat/tarifat. 2. Borxhet. 3.Ndihmat. Pra buxheti i shtetit janë lekët që mblidhen nga taksat dhe borxhet se koha e lëmoshës ka kaluar. Nuk mbushet buxheti i shtetit se qeveritarët mund te vendosin të mos marrin pagë dhe t’ia kalojnë buxhetit. Njerëzit kanë zgjedhur qeverinë për të administruar të ardhurat e mbledhura përmes taksave. Dhe e ardhura më e madhe në buxhet është taksa që e paguajnë të gjithë: TVSH. Kjo taksë është 33%. Pra nëse gjithë buxheti është 100 lekë, 33 lekë janë mbledhur nga taksa e TVSH-së, 20% i famshëm. E thënë më thjesht buxheti i shtetit është si buxheti i një familje ka dy rrugë për të jetuar/shpenzuar: ose përmes rrogës/pensionit dhe kur nuk mbyll dot muajin do të marrësh borxhe ose mbahesh me ndihmën e familjarëve dhe të miqve.
Në fushatë elektorale pranohen të thuhen “gomarllëqe” të tipit: “do të ulim taksat dhe do të rrisim rrogat”, por deklarata të tilla jashtë fushate tregojnë se thjesht je divorcuar me realitetin.
Në një emision televiziv të ditëve të fundit pyetjes së gazetarit:
Ku do i gjeni lekët?
Përfaqësuesi i shumicës me një nënqeshje ironike, sikur përpara të ishte budallai dhe jo gazetari i tha me një besim që do të trondiste nga gjumi edhe Shvejkun:
-Po nga buxheti..!
A thua se buxheti është një thes pa fund ku mjaft të futësh dorën dhe të marrësh sa të duash, kur të duash dhe t’i shpenzosh si të duash.
Deklaratat publike që “nuk pagujanë qytetarët/banorët”, por buxheti janë tallje nëse personi që i thotë e di se çfarë është buxheti. Nëse nuk e di është thjesht:
Mjerim!
Nuk e vë në dyshim se disa prej anëtarëve të qeverisë dhe Parlamentit të nderuar, nuk e kanë idenë se çfarë është buxheti i shtetit, çfarë është ekonomia e vendit, çfarë është inflacioni dhe stagflacioni, çfarë është ekonomia e tregut dhe konkurrenca, cili është dallimi mes kapitalizmit dhe komunizmit dhe larg qoftë të dinë se çfarë është varfëria dhe kriza? Po të dinin më shumë do të flisnin më pak. Dhe po të dinin sado pak nuk do të hapnin gojën dhe të këpusnin mufka në lidhje me buxhetin dhe përballimin e krizës! Zgjedhje e zgjuar është edhe zgjedhja për të mos “gdhendur’ veten. Përderisa janë në lartësitë ku janë – nuk kanë pse rrezikojnë vendin ku rrinë duke mësuar diçka më shumë. Lenini për këto tipa kishte shprehjen: “idiotë të dobishëm”!
Në Parlament më shumë se një herë është dëgjuar se nuk paguajnë qytetarët, por buxheti dhe duket se është thënë edhe nga njerëz që realisht nuk dinë se çfarë është buxheti. Nëse qeveria paska fuqinë magjike që me lekët e veta bën çfarë do populli, atëherë nuk do të merrnim asnjëherë rolin e lypsit, por do të bënim xhymertin duke ndihmuar fatkeqësitë e tjerë që nuk janë të paktë në këtë botë.
Nëse sjellim ndërmend dy krizat e forta që kemi kaluar- krizat nuk i kaluam se pagoi qeveria dhe nuk paguan qytetarët- i kaluam kryesisht se na dhanë ndihma dhe për më tepër morëm më shumë borxh. Në rastin e tërmetit për shembull, çfarë do të bënim pa ndihmën nga BE dhe ndihmën e vetë qytetarëve? Merr shembullin e Thumanës. U rindërtua dhe ka dalë model! Me paratë e kujt? Të buxhetit? Jo. Me paratë e mbledhura nga Elvis Naçi dhe Arbër Hajdari! Qeveria ka luajtur rolin e vet ndoshta në planifikim dhe rezultati është ky që mburremi sot: një lagje model.
Kriza e sotme nuk është si krizat e tjera. Kjo krizë kërkon që çatinë e shtëpisë tënde ta rregullosh vetë, dhe mundësisht jo në ditët që bie shi.
Krizat janë moment i mirë për të reflektuar, për të mësuar dhe për të ndryshuar diçka.
Buxheti i Shqipërisë ( të ardhurat që mbledhim nga taksat) është copë – copë. Pjesa më e madhe e buxhetit (33-34%) shkon për pensionet dhe ndihmën sociale (ndërkohë që për këtë fond mblidhet vetëm gjysma e lekëve që duhen), së dyti vijnë rrogat, së treti vjen shlyerja e borxheve (bashkë me interesat) dhe së katërti vijnë investimet. Borxhet kanë ardhur duke u rritur dhe justifikimi është i gatshëm: përballuam krizat që ndodhin njëherë në 100 vjet.
Edhe sot e kësaj dite shpenzojmë para më shumë se mbledhim! I ngjajmë asaj familjes që e mbyll gjithmonë muajin duke rritur borxhet pa menduar shumë se borxhliu do të kërkojë lekët dhe mund t’i kërkojë në ditën tënde më të keqe.
Për të dale nga kjo gjendje duhen më shumë të ardhura në buxhet dhe kjo mund të bëhet pa rritur taksat dhe këtu hyn në punë qeveria: A mundet qeveria të rrisë të ardhurat duke formalizuar ekonominë? (ekonomia jashte sistemi llogaritet nga 40-50%…? ) duke mirëadministruar më mirë të ardhurat që mblidhen, duke bërë investimet që ndihmojnë ekonominë e vendit dhe jo ekonominë e 4-5 personave, duke ulur ritmin e koncesioneve dhe PPP-të, duke luftuar korrupsionin, (edhe kur për këtë përgjegjësia është “individuale”) duke bërë politika në favor të ekonomisë prodhuese në vend, duke shfrytëzuar më mirë pasuritë e shumta nën/mbi tokësore, duke investuar për ekonominë e dijes dhe në fund, por jo më pak e rëndësishme – duke kaluar nga taksimi i varfërisë te taksimi i pasurisë. Më shqip, duke mbledhur më shumë të ardhura nga fitimi i koorporatave dhe kompanive të mëdha dhe duke mbledhur më pak nga taksimi i çdo malli konsumi në Shqipëri përmes TVSH-së.
Pasojat…
Nëse gjysma e “ekonomisë” nuk taksohet si do të rriten të ardhurat? Dhe nuk bëhet fjalë për pak lekë. Llogaritet që kjo shifër të jetë 800 milionë euro në vit, afërsisht sa jane të gjithë investimet që bën ky vend. Por, nuk është thjesht dhe vetëm problemi i të ardhurave se i këpusim një borxh tjetër dhe e shtyjmë, por nëse nuk ngulitet koncepti se shteti mbahet me taksa, do të kemi gjithmonë papërgjegjshmëri jo vetëm fiskale, por edhe politike. Ai që nuk paguan taksa nuk e ka për gjë të shesë votën jo 50 euro, por edhe 50 lekë të vjetra. Shqipëria ka 30 vjet që bën debatin për shit-blerjen e votës dhe përdorimin e administratës në zgjedhje. Ky debat do të venitet vetiu nëse ngulitet koncepti se buxheti i shtetit janë taksat që paguajmë. Me ato taksa paguhen pensionet, rrogat, borxhet, mbahet qeveria dhe bëhen investimet. Dhe ky koncept duhet të nisë nga shkolla fillore dhe nëse nis aty- nuk ka nevojë të shkojë gjëkundi sepse ministrat dhe deputetët që sot këpusin mufka nuk do të jenë më aty ku janë. Pagimi i taksave nga të gjithë, kujdesja që për çdo mall që blen të marrësh faturë fiskale, do të krijojë më shumë përgjegjshmëri edhe në politikë. Kur të kuptohet që shteti mbahet me taksat dhe pa taksa nuk ka shtet atëherë
shpejt vjen dita që kur ministri apo deputeti që thotë: i paguan qeveria, i paguan buxheti dhe jo qytetarët, merret me urgjencë dhe dërgohet në spital dhe falë taksave që paguajmë, ky shërbim do të jetë falas!
P.S. Nëse në këtë kohë krize, një ministër investon për zyrën e tij 100 mijë euro, ai ka të drejtë të thotë se këtë nuk po e bën me paratë e shqiptarëve, por me ato të buxhetit. Nëse nuk tallet, është thjesht i mjerë se paratë e shqiptarëve dhe buxhetin e shtetit i di dy gjëra që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën