Atentati i ndodhur pasditen e sotme në Elbasan ku dyshohet se i plagosur ka mbetur Talo Çela, një nga personat më të kërkuar në vend, i cili akuzohet për vrasje, ka vënë në lëvizje RENEA-n në Elbasna dhe Fier. Talo Çela i cili është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga Nuredin Dumani, i cili konsiderohej krahu i djathtë i Çelës.
Pas aksioneve të Policisë, pak minuta më parë është arrestuar Nuredin Dumani, një nga të shumëkërkuarit e policisë. Sipas burimeve, në momentin kur Dumani është arrestuar ka qenë i shtrirë në një krevat në një hyrje rreth një kilometër larg spitalit dhe nuk ka bërë rezistencë.
Kujtojmë se Nuredin Dumani ka qenë i kërkuar nga Policia dhe drejtësia shqiptare si autor i dyshuar i disa ngjarjeve kriminale. Dumani dhe Çela kanë qenë miq të ngushtë, por prishja e pazareve ka bërë që të kthehen në armiq me njëri-tjetrin. Për pasojë, armiqësia e tyre ka sjell disa nga ngjarjet kriminale të viteve të fundit mes dy të shumëkërkuarve.
Nuredin Dumani, që vetëm pak muaj më parë njihej si një tutor prostitutash në Francë, ka një tjetër ‘profesion’. Ai tashmë është vrasës serial, për të cilin, Prokuroria ka lëshuar dy urdhër-arreste dhe ka në duar prova të mjaftueshmë për ta implikuar si ekzekutor në të paktën shtatë vrasje. Në një hark kohor prej vetëm shtatë muajsh, Dumani, i fshehur pas emrit të Talo Çelës, bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë, nuk e hoqi armën nga dora, për të ‘hequr qafe’ çdo dëshmitar të ‘punëve të tyre të pista’.
Gjithçka nisi në muajin mars të këtij viti. Anxhelo Avdia dhe Dorian Shkoza ishin duke ecur në këmbë kur u qëlluan nga një makinë në ecje. I vetmi që kishte precedent penalë ishte Dorian Shkoza, i cili kishte qenë i dënuar me 8 vite burg për trafik droge dhe ishte liruar në vitin 2010. Dy të rinjtë merreshin me një servis makinash.
Pa u ftohur ende trupat e dy të rinjve, po në të njëjtin vend, në Shën Vlash të Durrësit, ‘kërciti’ sërish arma. Këtë herë, u ekzekutuan dy vëllezër. Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë tek parku i tregut të makinave në Durrësit, aty ku kishin edhe një biznes të tyre. Sapo të dy vëllezërit dolën nga banesa dhe iu drejtuan parkut, 3 persona iu dolën para me makinën Toyota, viktimat ndaluan dhe ata nisën të qëllojnë drejt tyre. Në burg për këyë vrasje janë Altin Ndoçi dhe Klevis Alla, të dy bashkëpunëtorë të drejtësisë, që filluan të blebëzojnë sapo hasën muajt e parë pas hekurave.
Ndoci dhe Alla shënjestruan drejtpërdrejt Talo Çelën dhe Nuredin Dumanin për këtë vrasje. Arsyeja: Lekët e grabitura një vit më parë në Rinas, 4.6 milion euro. Një pjesë e tyre, Çela dhe Dumani, bashkëpunëtorë, ua kishin lënë për t’ua ruajtur dy vëllzerve Haxhia, por këta të fundit, i zhgënjyen. “Na grabitën,”- tha ata, por kjo ishte një alibi boshe për Çelën dhe Dumanin, të cilët pau menduar dy herë i vranë.
Kjo mjaftoi që Prokuroria të lëshojë një urdhër-aresti për Çelën dhe Dumanin, por jo vetëm për vrasjen e vëllezërve Haxhia. Prokuroria bashkoi dosjen e dy viktimave me atë të një muaji më parë, të Anxhelo Avdias dhe Dorjan Shkozës. Tabulatet telefonike dhe prova të tjera të ngjashme, zbuluan për grupet hetimore se Çela dhe Dumani, ishin edhe pas atij krimi të dyfishtë.
Ndërkohë, Çela ishte shpallur në kërkim për grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas, pasi akuzohej se në servisin e tij, kishte ndihmuar autorët që të modifikonin furgonin me mbishkrimin ‘Hetimi Tatimor’, në mënyrë që askush të mos dyshonte tek ata.
Modifikimi i mjeteve ishte një praktikë e njohur për Çelën. Të njëjtën gjë, i shumëkërkuari që ka kthyer pas disa herë grupet e forcave RENEA kishte praktikuar edhe në serviset e katër viktimave. Nuk dihet nëse Shkoza dhe Avdiaj kishin lidhje me grabitjen e Rinasit, por servisi i tyre ishte përdorur për ç’montim mjetesh nga Çela dhe bashkëpunëtorët e tij.
Pavarësisht shpalljes në kërkim, Talo Çela dhe Nuredin Dumani, nuk reshtën.
Fshehur skutave dhe me plane shumë të mirëorganizuara, të dy nuk e ndalën aktivitetin e tyre.
Më 20 korrik të këtij viti, Emiljano Ramazani, u ekzekutua teksa parkonte mjetin e tij, poshtë pallatit ku banonte tek ‘Rrethrrotullimi i luleve’ në Elbasan. Klevis Kapllani është pikasur nga kamerat e sigurisë, teksa me armë në dorë, zbriti nga makina e drejtuar nga Nuredin Dumani, vrau babain e katër vajzave, të njohur dhe si ‘Ili’ dhe u largua.
Të dy i ranë rrotull vendit të krimit katër herë, si për të provuar dhe njëherë adrenalinën përballë autoriteteve, por pavarësisht postoblloqeve të ngritura, askush s’i pikasi.
Pas krimit, siç pohojnë dhe burime nga grupi hetimor, Kapllani ka vendosur armën në servisin që është në pronësi të Albert dhe Seit Manahasës në qytetin e Peqinit, për t’i fajësuar ata për këtë ngjarje. Të dy u vunë në pranga bashkë me katër persona të tjerë, pas gjetjes së armës. Kreshnik dhe Ymer Manahasa, Artur Tosku si dhe Bujar Dervishi u liruan pasi ndaj tyre nuk u gjetën prova. Ndërsa Albert dhe Seit Manahasa janë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Ramazani kishte njohje me Talo Çelën, por ‘era’ e parave të Rinasit, ishte futur edhe mes tyre. Dumani, i kënaqur që eliminoi dhe tjetër ‘përfitues’ u nis të fshihej bashkë me Kapllanin. Të dy bashkë, janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj të Rrogozhinës dhe njerëzit që i njohnin i identifikonin me njëri-tjetrin. Por dhe kjo miqësi, do të thyhej, e sërish për shkaqe parash.
Më 15 shtator të këtij viti u vra dhe Klevis Kapllani, vetëm 200 metra larg banesës së tij, pak orë pasi kishte dalë të pinte disa birra me shokët. Edhe për këtë ngjarje, është shpallur në kërkim Nuredin Dumani. Këtij të fundit, policia i zuri edhe pritë me shpresën se do të paraqitej në funeralin e mikut që vrau, por 37-vjeçari nga Dibra që u kishte shpëtuar kaq shumë herë duarve të bluve, nuk e hëngri këtë karrem.
Ai gjeti strehë dhe nuk doli, deri në goditjen e radhës. Dumani tashmë e kishte shtrënguar rrethin mjaftueshëm, dhe i vetmi mik që i kishte mbetur pa goditur ishte Talo Çela.
Këtë të fundit, në pamundësi për ta takuar as nëna e tij që e ka lindur, Dumani gjeti mundësinë ta godiste tek i vëllai. Bujar Çela, një taksist në të zezë, vuajti ndoshta ‘pangopshmërinë’ e të vëllait nga ‘torta e Rinasit’ dhe mbylli sytë teksa pinte kafenë e mëngjesit më 17 shtator.
Këtë herë Dumani nuk e kreu vrasjen i vetëm. Ai ishte vetë i tretë dhe rrobat që mbante veshur, e kanë nxjerrë zbuluar nga kamerat e lokalit, bë verandën e të cilit, eliminoi edhe të vëllanë e bashkëpunëtorit, me të cilin kishte bërë një rrugë të gjatë krimesh.
Siç duket mania për të ‘ngrënë’ sa më shumë nga paratë e grabitura në mënyrë spektakolarë mesditën e 9 prillit në Rinas, u shkurtoi jetën të afërmve të bashkëpunëtorëve. Kjo mani vajti deri aty kur dy shokët e ngushtë të cilët kë nuk vranë për ëështje pazaresh, erdhën në ditët e sotme që pazaret prishën edhe marrëdhënien e tyre duke u kthyer në armiq të betuar të njëri-tjetrit. Larja e hesapeve mes tyre ka sjell dhe atentatin e sotëm në Elbasan-Peqin, ku një mjet luksoz BMË X5 u bë “shosh” nga plumbat.