Sali Berisha ka nisur ‘misionin’ e tij në krye të PD-së, luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi është shpallur ‘non grata’. Pasi spastroi, grupin e WhatsApp, të Partisë Demokratike, ku zyra e shtypit sillte informacionet zyrtare nga selia blu, Sali Berisha tashmë po e përdor zyrtarisht këtë kanal komunikimi për të sulmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konkretisht, Sali Berisha ka sulmuar Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili shpalli Sali Berishën ‘non grata’, për korrupsion dhe minim të demokracisë.
Grupi i Rithemelimit, ka shpërndarë në këtë ‘ËhatsApp’ një artikull, të një gazetari amerikan, Joe Hoft, të një media të huaj jo të njohur, ‘The Gateëay Pundit’, (me shumë gjasa i paguar), i cili shkruan se sekretari Antony Blinken, ka lidhje familjare me George Sorosin dhe se sipas tij Berisha është sanksionuar pa arsye. Sipas gazetarit, i cili i referohet ish-këshilltarit të lartë të presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme, Richard Grenell, rezulton se prindërit e Blinken janë mbështetës të Shoqërisë së Hapur të George Soros.
‘Pretendimet e Berishës për Sekretarin Blinken dhe Sorosin nuk duhen hedhur poshtë kaq shpejt. Prindërit e Sekretarit të Shtetit të SHBA, Vera dhe Donald Blinken, kanë dhuruar në mënyrë të përsëritur për Shoqërinë e Hapur, madje kanë krijuar një fond të përhershëm në një arkiv të dhënash me bazë në Europë, që mban emrin e tyre- Arkivat e Shoqërisë së Hapur të Vera dhe Donald Blinken.’- shkruhet ndër të tjera në artikull.
Për faktin se është shpallur ‘non grata’, e vetmja provë sipas gazetarit amerikan është se Berisha ka kundërshtuar ndërhyrjen politike në George Soros, në të gjithë rajonin e Ballkanit. Madje gazetari Joe Hoft, i thur edhe elozhe ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e cilësuar atë si mik të amerikanëve dhe madje është pritur nga të dy presidentët Bush.
Kujtojmë se ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim në një deklaratë për mediat, bëri të qartë se SHBA-të nuk mund të angazhohen me askënd që është shpallur ‘non grata’ nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor.
Më 19 maj të vitit 2021, DASH shpalli ‘non grata’ Sali Berishën si të përfshirë në “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.