Në një intervistë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi është shprehur se për momentin nuk e shikon të arsyeshme të jetë pjesë e garës për kryetar të Partisë Demokratike. Bardhi tha se për atë pozicion ka kolegë që kanë më shumë eksperiencë, duke shtuar se nuk e përjashton mundësinë që të jetë një hap i ardhshëm.
“Shikoj përtej zotit Basha dhe Berisha, duhet të gjejmë një mekanizëm që e çon PD përpara të bashkuar, në interes të demokratëve dhe PD. Pozicionin tim s’e kam parë si gradë. Jam përpjekur ta ushtroj me përgjegjshmëri. Jam përpjekur të mos bëhem pjesë e shpifjeve dhe akuzave ndaj meje, kam mbajtur pozicion të mos përfshihem në debate. Punën time do e gjykojë koha. Çdo punë që bëj e bëj me zemër. Nuk mendoj që jam i përjetshëm në këtë pozicion që jam. Shpreh gatishmërinë për të mos qenë pjesë e kësaj detyre dhe vijoj përgjegjësinë time në çdo pozicion. Nuk shoh që do të jem kandidat, mendoj që ka të tjerë kandidatë që kanë më shumë eksperiencë se mua. Ajo që gjykoj është që cilido prej nesh që është angazhuar në PD, duhet ta ushtrojë me përgjegjësi. Në çdo pozicion që do të jem, do përpiqem të bëj më të mirën” – tha Bardhi.