Protestës së qytetarëve kundër rritjes së çmimeve, që janë mbledhur para kryeministrisë, i janë bashkuar edhe personat me aftësi të kufizuara. Për të katërtën ditë me radhë, qytetarët janë ngritur në protestë duke kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës dhe produkteve të shportës. Në kryeqytet protestuesit u grumbulluan rreth orës 11:00 në Sheshin Skënderbej, teksa po marshojnë drejt kryeministrisë. Ndërkohë në kryeministri janë marrë masa, duke blinduar dyert, teksa në gatishmëri janë edhe autobotet me gazë lotsjellës. Protestuesit kanë deklaruar se protesta do të kulmojë sot.
Ndërkohë protesta ka patur edhe në rrethe, ku në Lezhë protestuesit bllokuan për disa minuta autostradën Lezhë-Laç, pranë kryqëzimit të Shënkollit. Po ashtu qytetarët u ngritën sot edhe në Pogradec e Berat.