Bashkimi Evropian do të pezullojë trajtimin e privilegjuar tregtar dhe ekonomik të Moskës, e cila do të frenojë përdorimin e saj të kriptovalutave dhe do të ndalojë eksportin e mallrave luksoze evropiane në Rusi dhe importin e produkteve të hekurit dhe çelikut nga ky vend, bëri me dije presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Masat e reja do të futen si paketa e katërt e sanksioneve për shkak të pushtimit rus të Ukrainës dhe veprimet do të koordinohen me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të Grupit të Shtatë (G7).
Von der Leyen u shpreh se BE-ja do të prezantojë një paketë të katërt masash, ditën e nesërme, më 12 mars, për të izoluar edhe më tej Rusinë dhe për të shkurtuar burimet që Moska sipas saj po përdorte për të financuar luftën në Ukrainë.
Ajo theksoi gjithashtu se, të drejtat e Rusisë për të drejtuar institucionet shumëpalëshe, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, do të pezullohen.
Nga ana tjetër, BE-ja, së bashku me aleatët e tjerë perëndimorë si Shtetet e Bashkuara, do të shfuqizojnë statusin tregtar më të favorshëm të Rusisë, duke i hapur rrugën ndalimeve dhe vendosjes së tarifave ndëshkuese ndaj mallrave ruse, duke e vendosur Rusinë në të njëjtin status si Koreja e Veriut apo Irani.
Hapi i parë është ndalimi i importit të produkteve të hekurit dhe çelikut.
Bashkimi Evropian do të ndalojë veçanërisht eksportin e mallrave luksoze evropiane në Rusi, dhe përmes këtij vendimi, BE-ja synon t’i godasë elitat ruse. Përveç kësaj, BE-ja do të ndalojë investimet evropiane në sektorin energjetik rus.
“Ndalimi do të përfshijë të gjitha investimet, transferimet e teknologjisë, shërbimet financiare, për shembull për kërkimin dhe prodhimin e energjisë, dhe kështu do të ketë një ndikim të madh në [presidentin rus Vladimir] Putin”, shtoi Von der Leyen.
Sipas Byrosë Evropiane të Statistikave (Eurostat), vlera e mallrave të importuara në Bashkimin Europian nga Rusia në vitin 2019 arriti në vlerën prej 145 miliardë eurosh, nga të cilat 101 miliardë euro janë shpenzuar për naftë dhe gaz.